Lidhje

Bush: rrethana të ndryshme kërkojnë zbatimin e strategjive të ndryshme - 2003-01-08


Presidenti Bush thotë se kur përballesh me kërcënime botërore, rrethana të ndryshme kërkojnë zbatimin e strategjive të ndryshme.

Në një fjalim të mbajtur dje në qytetin e Çikagos, presidenti Bush diskutoi mbi dy prej kërcënimeve më serioze, atij të Koresë së Veriut dhe Irakut, si dhe qëndrimet e tij të ndryshme për zgjidhjen e tyre.

Duke folur për Korenë e Veriut, ku qeveria e atjeshme ka rihapur objekte që mund të përdoren për prodhimin e armëve bërthamore, presidenti tha se ai nuk ka ndonjë synim që të përdorë forcën ushtarake në atë që ai e konsideron si arenë të diplomacisë. Përkundrazi, së bashku me Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut, ai po përdorë një politikë të përbashkët për ta bindur Penianin që të ndalojë programin e tij të armëve bërthamore.

“Duke punuar me vendet në rajon diplomacia do të funksionojë. Ne nuk kemi ndonjë qëllim agresiv kundër popullit të Koresë së Veriut. Ne, tha presidenti Bush, jemi të interesuar për paqen në gadishullin korean.”

Duke folur mbi Irakun, ku inspektorët e Kombeve të Bashkuara po kërkojnë për armë të shkatërrimit në masë, presidenti u shpreh se ai është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake nëse udhëheqësi irakian, Sadam Husein, nuk përmbush rezolutat e OKB-së dhe nuk çarmatoset.

“Kërkesat e botës janë të qarta. Për hir të paqes, Sadam Huseini duhet të çarmatoset nga të gjitha armët e shkatërrimit në masë dhe të provojë që ai e ka bërë këtë. Nëse ai zgjedh rrugë tjetër, atëherë Shtetet e Bashkuara, për hir të paqes, do të drejtojnë një koalicion për ta çarmatosur Irakun nga armët e shkatërrimit në masë dhe për të çliruar popullin irakian, tha presidenti.”

Iraku dhe Koreja e Veriut janë pjesë e asaj që presidenti Bush e ka quajtur ”boshti i së keqes”. Ai tha se regjimi i Koresë së Veriut po përpiqet të mospërfillë botën. Ndërsa regjimi irakian, u shpreh presidenti, është një regjim që po ”mbijeton nëpërmjet dhunës dhe mashtrimit” dhe po armatoset për të kërcënuar botën.

Presidenti tha se ndërsa politikat që po ndjek për zgjidhjen e këtyre konflikteve janë të ndryshme, qëllimi mbetet i njëjtë.

“Në secilin prej këtyre rasteve vendosmëria jonë do të jetë e qartë. Ne nuk do të lejojmë asnjë regjim që të kërcënojë lirinë dhe sigurinë e popullit amerikan apo të miqve dhe aleatëve tanë kudo në botë.”

Ndërkohë që një numër më i madh trupash amerikanë janë drejtuar për në Gjirin Persik për një luftë të mundshme me Irakun, dje diplomatët amerikanë u takuan me zyrtarë japonezë dhe koreano jugorë për të diskutuar mbi mënyrat më të efektshme për ta bindur Korenë e Veriut që të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore.

//ze//

XS
SM
MD
LG