Lidhje

Kalendari Historik 8 janar - 2003-01-08


Më 8 janar 1935, në Tupelo të Mississipit lindi Elvis Aron Presley. Në vitet ’50, ende në moshën e adoleshencës, Presley u bë njëri prej yjeve të para të rock’n rollit. Muzika e tij ishte ndërthurje e shumë ndikimeve, e muzikës country, rhythm and blues dhe e muzikës spituale; ajo përmbante një ritëm të shpejtë dhe shqoërohej me lëvizje që shumë vëzhgues i cilësonin si seksualisht sugjestive. Nëpërmjet shfaqjeve televizive dhe regjistrimeve të tij tepër të shitura si “Hound Dog” dhe ”Jailhouse Rock”, Elvis Presley u bë një emër mjaft i dëgjuar, që jo rrallë njihej thjesht si ”Elvis” apo ”the King”. Emri i tij ishte tepër i njohur si nga adhuruesit e rokut, ashtu edhe nga kundërshtarët e kësaj gjinie muzikore. Disa kritikë thonë se muzika e Presleyt humbi joshjen e saj në vitet ’60, kur ai filloi t’i kushtonte gjithnjë e më tepër kohë lojës nëpër filma, shumica e të cilave ishin komedi të lehta muzikore. Por ai e ruajti popullaritetin edhe për vite të tjera më vonë dhe tërhiqte grupe të mëdha adhuruesish kur dilte në skenë. Elvis Presley mbylli sytë në Memphis të shtetit Tennessee më 6 gusht 1977. Thuhet se vdekja e tij në moshën 42-vjeçare u shkaktua nga kriza në zemër si pasojë e përdorimit abuziv të ilaçeve. Shtëpia e Elvis Presleyt në Memphis ku ai vdiq dhe u varros vazhdon të joshë turistë të shumtë. Më 8 janar 1815, Shtetet e Bashkuara korrën fitoren më spektakolare në terren gjatë luftës së filluar në vitin 1812 në New Orleans të Louisianës. Trupat amerikane, nën komandën e gjeneralit Andrew Jackson, thyen keqas një sulm të ushtrisë britanike, duke i shkaktuar asaj humbje të rënda. Edhe pse beteja nuk kishte ndonjë rëndësi ushtarake, pasi më 24 dhjetor ishte nënshkruar traktati i paqes i Ghentit, i cili u dha fund të ashtuquajturave Luftra Napoleoniane, fitorja shërbeu si një nxitje e madhe morale për amerikanët. Ajo e ngriti edhe më lart famën e jashtëzakonshme të gjeneralit dhe ai u bë i njohur si “Heroi i New Orleansit”. Gjenerali Andrew Jackson e ruajti famën e tij edhe në politikë, e cila e ndihmoi të arrinte deri në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG