Lidhje

Presidenti Bush paraqet një plan të ri për rigjallërimin e ekonomisë - 2003-01-08


Presidenti Bush dhe demokratët e opozitës janë angazhuar tani në debatin e parë të rëndësishëm për vitin 2003 lidhur me çështjet e brendshme, se si ta rigjallërojnë ekonominë e ngadalsuar të Shteteve të Bashkuara. Ekonomia do të ketë ndikim të madh për përpjekjet e presidentit Bush për t’u rizgjedhur.

I vetëdijshëm se ishte gjendja e dobët ekonomike ajo që ndikoi në humbjen e mandatit të dytë presidencial për të jatin në zgjedhjet e vitit 1992, presidenti Bush shpalli të martën në Chicago një plan të ri për shkurtimin e taksave që synon t’i japë një shtytje ekonomisë së ngadalësuar amerikane.

“Sfida jonë e parë është që t’u bëjmë të mundur amerikanëve të mbajnë një pjesë më të madhe të parave të tyre në mënyrë që ata të shpenzojnë më shumë, kursejnë dhe investojnë; të stimulojmë miliona vendime individuale që mbështesin tregun, biznesin dhe ndihmojnë në krijimin e vendeve të reja të punës,” tha presidenti.

Plani i presidentit për uljen e taksave përfshin një propozim që zhduk taksat që investitorët paguajnë për dividentët që shpërndajnë kompanitë nga fitimet e tyre. Ky propozim shihet si një hap politikisht tërheqës për 2 të tretat e votuesve, që kanë investuar në tregun e aksioneve.

Demokratët thonë se nga plani i presidentit do të përfitojnë kryesisht të pasurit dhe ata kanë shpallur nje plan aletrantiv që sipas demokratëve do të përfitojnë më shumë bqytetarët me të ardhura të mesme dhe të ulta. John Spratt është anëtar demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve nga Karolina e Jugut. “Ne mendojmë se plani ynë do të ketë më shumë ndikim gjatë vitit 2003 kur ekonomia të ketë nevojë për të. Nga plani ynë do të përfitonin njerzit që kanë nevojë. Ai do të ketë një ndikim më të shpejtë mbi ekonominë, gjë që ne dëshirojmë,” tha ligjvënësi Spratt.

Si presidenti Bush edhe demokratët e opozitës rrezikojnë shumë në këtë debat ekonomik. Presidenti dhe aleatët e tij republikanë nuk u fajësuan për ekonominë e dobët amerikane në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, në të cilat republikantë fituan vende në të dyja dhomat e kongresit.

Por organizatori i sondazheve publike për republikanët, Neil Newhouse paralajmëron se votuesit mund të mos ia falin presidentit Bush në zgjedhjet e vitit 2004 në rast se ekonomia nuk tregon shenja rimëkëmbjeje. “Në se ekonomia është në gjendje të mirë apo të keqe, në se pas 18 muajsh mendohet që ekonomia ka marrë rrugën e duhur, atëherë demokratët do të ndeshen me një betejë të vështirë elektorale. Në se ekonomia vazhdon të jetë në gjendjen e tanishme, zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm mund të jenë një garë me konkurentë të fortë. Do të ishte budallallëk që republikanët të mendonin se demokratët nuk kanë mundësi për të fituar,” tha zoti Newhouse.

Presidenti Bush vazhdon të gëzojë mbështetje të madhe në anketat e opinionit publik, kryesisht për mënyrën se si po e trajton luftën kundër terrorizmit.

Megjithë këtë mbështetje për presidentit, disa demokratë kanë njoftuar planet e tyre për të vënë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Mes tyre janë anëtari i kongresit nga shteti Mizuri, Richard Gephardt, senatori nga shteti Massachusetts, John Kerry, senatori nga Karolina e Veriut, John Edwards, guvernatori i shtetit Vermont, Howard Dean dhe veprimtari i të drejtave civile nga New Yorku, Al Sharpton.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat Tom Daschle njoftoi të martën, më 7 dhjetor, se nuk do të vërë kandidaturë në zgjedhjet e vitit 2004. Por dy senatorë të tjerë demokratë, Joseph Lieberman nga Connecticut dhe Bob Graham nga Florida, mund të njoftojnë së shpejti synimet e tyre për të kandiduar.

XS
SM
MD
LG