Lidhje

Të drejtat e njeriut dhe terrorizmi - 2003-01-08


Nënsekretari amerikan i shtetit për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Punën, Lorne Craner, është njëri prej atyre që i ka parë me sytë e tij efektet e terrorizmit. Më 11 shtator 2001, ai pa nga dritarja e zyrës së tij në Washington, Pentagonin në flakë. Ashtu si Qendra Botërore e Tregëtisë në New York, Pentagoni u bë atë ditë objekt i sulmit terrorist të Al-Kaidës. Siç thotë zoti Craner, ”është e vështirë të thuhet me fjalë efekti i thellë psikologjik që shkaktuan këto sulme dhe vdekja e tre mijë njerëzve nga 90 vende të ndryshme, në mënyrën e të menduarit të publikut amerikan.”

Pas sulmeve terroriste, amerikanët kërkuan masa të fuqishme për të dënuar dhe parandaluar terrorizmin. Disa bile thanë se qeveria është plotësisht e justifikuar, edhe në se shkel të drejtat e njeriut, për të luftuar terroristët. Fatmirësisht, shumica e amerikanëve e kuptuan se kjo do të ishte diçka e gabuar.

Në fakt, thotë zoti Craner, ”siguria dhe respekti për të drejtat njeriut janë të pandara dhe mbështesin njëra-tjetrën. Shumë prej shkaqeve bazë të terrorizmit, si mungesa e shpresës, dëshpërimi si dhe ndjenja e viktimizimit dhe e padrejtësisë apo dëshira për hakmarrje, hasen tek njerëzit që nëpërkëmben, që shtypen nga qeveritë dhe nuk lejohen prej tyre të jetojnë me dinjitet. Fanatikët dhe ekstremistët luajnë me ndjenjat e këtyre njerëzve për të arritur qëllimet e tyre të urryera. Gjithashtu, atje ku shtypja ushqen terrorizmin dhe terrorizmi provokon shtypje të mëtejshme krijohet një rreth vicioz.

Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se nuk do ta tolerojnë përdorimin e antiterrorizmit si një justifikim për të mbytur shprehjet paqësore të pikëpamjeve politike apo fetare. Shtetet e Bashkuara do t’i luftojnë terroristët në çdo rast. Kjo u duk qartë në Afganistan, ku Shtetet e Bashkuara nuk goditën pa dallim, por vunë në shënjestër drejtpërdrejt terroristët dhe Talebanët që i përkrahin ata. Dhe gjatë këtij procesi, siç vuri në pah zoti Craner, Shtetet e Bashkuara ”liruan miliona myslimanë afganë nga shtypja”.

Zoti Craner i bëri komentet e tij në Universitetin e Sinkiangut në Kinë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar Lëvizjen Islamike të Turkestanit Lindor, një grup terrorist në Sinkiang i lidhur me al-Qaidan. Por në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara shprehin edhe një herë miqësinë për popullin paqësor të Sinkiangut, përfshirë myslimanët e shumtë që jetojnë atje. Shtetet e Bashkuara mendojnë se Kina duhet t’i lirojë njerëz si Rebiyah Kadeer që janë burgosur thjesht për arsye politike.

Siç tha ndihmës sekretari i shtetit Craner ”Nuk ka justifikim për terrorizmin, cilado qoftë kauza...Por ashtu si terrorizmi nuk mund të jetë kurrë një përgjigje e përligjur ndaj protestës ashtu edhe lufta kundër terrorizmit nuk mund të jetë një arsye për të shpërfillur të drejtat njerëzore”.// lk //

XS
SM
MD
LG