Lidhje

Eliot Engel: Liria dhe Pavarësia, e Vetmja Zgjidhje e Çështjes së Kosovës. - 2003-01-09


Zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës po diskutohet gjithnjë e më tepër nga qarqe të ndryshme. Deputeti amerikan Eliot Engel, thotë se e vetmja zgjidhje e llogjikshme e çështjes së Kosovës është liria dhe pavarësia e saj. Zoti Engel thekson se për arritjen e këtij qëllimi, shqiptarët duhet t’i tregojnë komunitetit ndërkombëtar se janë në gjendje të vetqeverisen dhe të ndërtojnë një shoqëri, ku të mbretërojë drejtësia për të gjithë banorët e Kosovës, përfshirë pakicat jo-shqiptare. Në vazhdim, intervista që zoti Engel i dha shefit të shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, Elez Biberaj.

Zëri i Amerikës: Zoti Engel, këtë jave filloi sesioni i ri i Kongresit amerikan. Cilat jane përparësitë tuaja legjislative? Sa vemendje do t’i kushtoni Shqiperisë, Kosovës dhe Maqedonisë?

Z. Engel:Sesioni sapo ka filluar dhe brenda pak javësh Presidenti do të mbajë fjalimin vjetor para Kongresit për gjendjen e vendit, në të cilin ai do të parashtrojë programin e tij për ato që do të dëshironte të realizoheshin. Në frontin e brendëshëm ne duhet të merremi me çështjen e kujdesit shëndetësor, që është një nga përparësitë kryesore. Unë do të doja të shikoja të zgjidhur çështjen e garantimit të ilaçeve për të moshuarit, të cilët nuk janë në gjendje të përballojnë koston e tyre. Një çështje tjetër është se 42 milionë amerikanë nuk kanë sigurime shëndetësore, prandaj duhen marrë masa për t’a mbuluar edhe këtë pjesë të popullatës. Natyrisht edhe arsimi është një tjetër përparësi kryesore. Për sa i përket uljes së taksave unë jam kundër, pasi një gjë e tillë shton deficitin buxhetor, gjë që na pengon të ralizojmë programet tona si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në vende të jera. Si kryetar i grupit të çështjeve shqiptaro-amerikane, unë do të dëshiroja që më shumë ligjvënës të bashkohen me ne. Për këtë qëllim do të kem nevojë për mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve kudo në Shtetet e Bashkuara. Ata duhet të kontaktojnë përfaqësuesit e tyre për t’u kërkuar që të marrin pjesë në grupin tonë dhe shpresoj që ky grup të zgjerohet.

Zëri i Amerikës: Njoftohet se është paraqitur një projekt-rezolutë në mbeshtetje të pavarësisë së Kosovës. A e keni mbeshtetur këtë projekt-rezolutë dhe a mund t’na shpjegoni procesin dhe rëndësinë e një veprimi të tillë?

Z. Engel:Para së gjithash e them me kreanri se jam anëtari i parë i Kongresit amerikan që kam bërë thirrje për pavarësinë e Kosovës. Jam i bindur se Kosova duhet të jetë e pavarur, besoj se më në fund ajo do të jetë e pavarur dhe për mendimin tim ne duhet ta fillojmë procesin pa vonesë. Një nga gjërat që ne duhet të bëjmë është paraqitja e një rezolute që bën fjalë për pavarësinë e Kosovës. Kjo duhet të jetë një rezolutë e hartuar me kujdes në të cilën gjërat të thuhen saktë, në mënyrë që të fitojmë mbështetjen e numrit të nevojshëm të ligjvënësve për miratimin e saj. Ndërkohë duhet të organizojmë seanca dëshmish para komisionit të Kongresit për marrëdhëniet ndërkombëtare, ku bëj pjesë edhe unë, për të argumentuar se pse pavarësia e Kosovës është aq e rëndësishme dhe pse është e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjesh së Kosovës. Kam bindjen e thellë se pavarësia e Kosovës duhet të bëhet realitet. Për këtë rezoluta duhet të miratohet së pari nga komisioni i Kongesit për marrëdhëniet me jashtë, para se të hidhet në votë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas në Senat. Prandaj është me shumë rëndësi që rezoluta të jetë e hartuar mirë dhe unë do të bëj ç’është e mundur që përmbajtja e saj të jetë e qartë dhe e saktë. Miratimi i rezolutës paraqet deshirën e Kongresits, por kjo nuk do të thotë që Presidenti amerikan ose bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë dhe zbatojë këtë vendim. Por shume vende ndjekin qëndrimin amerikan dhe në qoftë se Shtetet e Bashkuara ndërmarrin hapin e parë në këtë drejtim, atëherë ka shumë mundësi që edhe vende të tjera do ta mbeshtesin rezolutën dhe kjo do të përbënte një proces pozitiv.

Zëri i Amerikës: Zoti Engel, Ju thatë se tani është koha për të shqyrtuar çështjen e statusit përfundimatr të Kosovës, si e keni menduar mekanizmin për shqyrtimin e kësaj çështjeje?

Z. Engel:Mendoj se tani është koha e duhur pasi UNMIK-u dhe forcat ndërkombëtare ndodhen atje për disa vite me radhë. Mendoj se sa më shumë që të shtyhet zgjidhja e çështjes së Kosovës, ajo do të mbetet gjithënjë e më tepër në plan të dytë. Aktualisht komuniteti ndërkombëtar është i preokupuar me Irakun, me gjendjen në Lindjen e Mesme dhe me programin e Koresë së Veriut për zhvillimin e armëve bërthamore. Ajo që më tremb mua së tepërmi në këto kushte është se Kosova mund të lihet mënjanë. Kur Bill Klintoni ishte president, unë isha një nga ata njerëz që e diskutonte me të shpesh këtë çështje. Ai e mbështeti fuqimisht çështjen e Kosovës, saqë organizoi edhe aleancën e NATO-s për të ndërhyrë ushtarakisht atje dhe për të dëbuar forcat sërbe prej andej. Por nga administrata e Presidentit Bush ne nuk kemi vënë re atë lloj interesimi. Prandaj unë nuk dua në asnjë mënyrë që çështja e Kosovës të lihet mënjanë. Nga ana tjetët, Beogradi duhet ta ketë qartë se e ka humur një herë e përgjithmonë Kosovën. Kosova nuk është më teritor sërb. Ajo që ne duhet të bëjmë atje, është ngritja e një ekonomie të shëndoshë, arritja e stabilitetit politik dhe vendosja e shtetit juridik. Ne duhet t’i ngjallim popullit të Kosovës ndjenjën e besimit se Kosova ka të ardhmen e saj, dhe për mendimin tim e vetmja e ardhme për Kosovën është pavarësia e saj. Në qoftë se populli i Kosovës është i bindur se kjo do të jetë e ardhmja e Kosovës, atëhere ai do të angazhohet për ndërtimin e një shoqërie të drejtë në atë vend. Por në qoftë se shqiptarët arrinë në përfundim se aspirata e tyre për pavarësi nuk do të realizohet, atëherë kjo do të krijojë lloj-lloj problemesh.

Zëri i Amerikës: Si do ti cilësonit përpjekjet e shqiptareve ne pergjithsi, dhe te udheheqësve të tyre ne veçanti për përmbyshjen e standardeve të caktuara nga administrata nderkombetare?

Z.Engel: Shqiptarët janë një popull punëtor. Unë e them gjithnjë se nuk kam takuar asnjë popull tjetër në botë që të jetë aq pro-amerikan sa shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë ata, në Kosovë, në Tiranë, në Maqedoni apo gjetkë. Shqiptarët janë shumë pro-amerikanë. Të marrim për shembull një demonstratë të shqiptaro-amerikanëve në New York, ata i dëgjon duke thirrur USA, USA, USA, dhe kjo është një shprehje e veçantë ndjenjash për Shtetet e Bashkuara. Por siç e dimë të gjithë shoqëria shqiptare ka probleme, si korrupsioni, dhuna, e të tjera. Këshilla ime për shqiptarët, e që e kam përsëritur vit pas viti, është që shqiptarët të punojnë së bashku. Qëllimi duhet të jetë pavarësia dhe liria e Kosovës. Mënyra për t’ia arritur këtij qëllimi është që për një periudhë afat-shkurtër gjërat duhen bërë në një mënyrë të atillë që t’i tregohet komunitetit ndërkombëtar se shqiptarët janë të aftë të vetqeversen dhe të kenë një shoqëri të drejtë në Kosovë. Kjo do të thotë që të respektohen të drejtat e pakicave, të braktiset hakmarrja, dhe natyrisht shqiptarët nuk duhet të luftojnë me njeri tjetrin. Korrupsioni, vrasjet mes shiptarëve, hakmarrja ndaj sërbëve janë akte që dëmtojnë pavarësinë e Kosovës. Janë pikërisht këto akte që shfrytëzohen nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, për të argumentuar se shqiptarët nuk mund të vetqeverisen, ata nuk mund të ndërtojnë një shoqëri të drejtë. Në qoftë se shqiptarët kërkojnë që të respektohen të drejtat e bashkëkombësve të tyre në Maqedoni, për shembull, ata duhen të respektojnë të drejta te pakicave edhe në Kosovë, qofshin këta sërbë apo ciganë e të tjerë.

Zëri i Amerikës: Zoti Engel, me gjithë problemet e mëdha në Kosovë dhe në rajon në përgjithësi, a jeni optimist për të ardhmën?

Z.Engel: Kur është fjala për popullin shqiptar unë jam gjithmonë optimist, sepse shqiptarët janë njerëz të mirë. Me ndihmën e miqve të shqiptarëve, si unë dhe të tjerë, ne do t’ia arrijmë qëllimit final për një Kosove të lirë dhe të pavarur me një shoqëri ku të mbretërojë drejtësia. Disa thonë se Kosova duhet të jetë protektorat i Kombeve të Bashkaura, kjo nuk është një perspektivë realiste, Kosova nuk mund të mbetet përgjithmonë protektorat. Të tjerë thonë se Kosova duhet t’i kthehet Beogradit, si një republikë e tretë e Jugosllavisë, apo ndonjë lloj konfigurimi tjetër me Sërbinë dhe Malin e Zi. Një gjë e tilllë mund të ishte e realizueshme 20 vjet më parë, por tani kjo zgjidhje nuk është më e mundur. Shqiptarët nuk mund të kthehen dhe të jetojnë nën thundrën e Beogradit, pra dhe një variant i tillë nuk përbën zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Pra e vetmja zgjidhje e llogjikshme është një Kosovë e lirë dhe e pavarur.

Zëri i Amerikës: Ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG