Lidhje

Butler: Maqedonia ka zgjedhur demokracinë, jo ekstremizmin - 2003-01-10


Në një interviste për Zërin e Amerikës ambasadori amerikan në Shkup Laurence Butler u shpreh se Maqedonia ka zgjedhur demokracinë, në vend të ekstremizmit dhe nacionalizmit. Ambasadori Butler hodhi poshtë zërat për ofensiva të mundshme dhe shtoi se sfidat kryesore për këtë vend sot janë përmirësimi i gjendjes ekonomike, lufta kunder korrupsionit dhe siguria.

EB: Zoti Ambasador, a mund të thuhet se tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Maqedonia më në fund ka hyrë në rrugën e ripajtimit etnik dhe ringjalljes politike dhe ekonomike?

Amb. Buttler: Unë do të thoja që Maqedonia e ka bërë këtë kthesë më shumë se tre muaj më parë, në gusht të vitit 2001 me marrëveshjen kornizë. Zgjedhjet e 15 shtatorit vërtetuan edhe një herë pikërisht se kushdo në Maqedoni, pavarësisht nga përkatësia etnike, zgjodhi demokracinë, në vend të ekstremizmit dhe nacionalizmit. Rrjedha e ngjarjeve pas 15 shtatorit, vetëm e përforcoi edhe një herë këtë.

EB: Zoti Ambasador, si po funksionon qeveria e koalicionit dhe sa janë integruar në qeveri ministrat e partisë së Ali Ahmetit?

Amb. Buttler: Mendoj se qeveria e koalicionit po punon aq mirë, sa ç’shpresonim ne dhe e di që po punon më mirë nga ç’mendonin shumë njerëz. Veçanërisht ata që humbën në zgjedhje shpresonin që qeveria e koalicionit të mos ishte kaq e suksesshme. Shumë pak nga anëtarët e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të udhëhequr nga Ali Ahmeti, që tani bën pjesë në qeveri, kishin qenë më parë të angazhuar drejtpërdrejt në politikë, me ndonjë kontribut të ndjeshëm, kështuqë procesi i të mësuarit ishte i vështirë dhe i shpejtë dhe ne jemi të befasuar se sa shpejt kanë mësuar ministrat dhe zëvendësministrat se ç’do të thotë të jenë në këto poste, ç’do të thotë të merresh me çështje konkrete dhe ta bësh këtë me vendosmëri. Kështu ne jemi të kënaqur me punën e tyre me Bashkimin Social-Demokrat dhe Partia Liberal Demokrate, ata mbajnë kontakte vazhdimisht dhe marrëdhëniet duket të jenë shumë të qeta dhe pa probleme aktualisht.

EB: Shpesh në shtypin e Maqedonisë botohen artikuj mbi mundësinë e rifillimit të luftimeve këtë pranmverë. Si i shihni ju këto artikuj dhe a kanë baza ato?

Amb. Buttler: I vetmi aktivitet i armatosur që kam parë unë gjatë gjithë vitit të kaluar ka qenë ai i natyrës kriminale. Ka patur edhe ndonjë rast të natyrës politike, por unë besoj se vëzhguesit që lënë të kuptohet se ka një rrezik për ringjallje të dhunës politike, siç ishte në vitin 2001, gabohen. Njerëzit u gënjyen, para një viti kur unë arrita në Maqedoni dhe po flitej për një ofensivë në pranverë. Diskutimet dhe spekullimet se mund të kishte një ofensivë të re në pranverë, janë pa bazë, nuk ka ndonje mbështetje brenda Maqedonisë për dhunë tjetër, njerëzit po rindërtojnë shtëpitë dhe po rregullojnë ndërtesat që ishin prishur. Këto gjëra nuk i bëjnë njerëzit që mendojnë të mbledhin rezerva ushqimesh dhe uji dhe që gërryejnë vendstrehime.

EB: A ekziston gatishmëria e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e Ohrit dhe sa i vështirë do të jetë zbatimi i saj?

Amb. Buttler: Më 26 dhjetor, ambasadori Bruns i Bashkimit Evropian dhe unë u takuam me Presidentin Traikovski, Kryeministrin Cervenkovski dhe përfaqësues të tre nga katër nënshkruesit e marrëveshjes dhe në praninë e disa zëvendëskryeministrave, për të rënë dakord për një plan pune të detajuar dhe agresiv për zbatimin e saj. Është e qartë se marrëveshja e Ohrit është baza mbi të cilën kjo qeveri u zgjodh dhe mbi bazë të saj qeveria duhet të punojë. Nuk pati mosmarrëveshje për shpejtësinë me të cilën do të kryhet puna për zbatimin e saj dhe sa do të zgjasë ajo. Vetëm Partia Demokratike për Bashkimin Kombëtar të Maqedonisë, VMRNO-DPNE parapëlqeu të mos merrte pjesë në takim. Ne e konsiderojmë këtë veprim të gabuar. Ndonjëherë VMRNO kur pëson ndonjë rënie në politikë, tërhiqet nga bisedat, çka do të thotë që nuk përfaqësohet në to. Viti 2003 do të jetë viti i vetëqeverisjes vendore. Ndoshta në pjesën më të madhe të komunave, ku kryetarët e bashkive janë maqedonas, ata i takojnë VMRNO-së. Për ta shumë gjëra varen nga rezultati i zhvillimit të vetëqeverisjes gjatë këtij viti.

EB: Ali Ahmeti, si udhëheqës i UÇK-së, është përfshirë në listën e Presidentit Bush, si një person që kërcënon qëndrueshmërinë në Ballkan. Duke marrë parasysh qëndrimin e zotit Ahmeti gjatë vitit të fundit, a ka ndryshuar qëndrimi amerikan ndaj tij?

Amb. Buttler: Ju iu referuat urdhrit ekzekutiv të Presidentit, ku përfshihet lista e njerëzve që plotësojnë disa kritere që rrezikojnë të shkaktojnë destabilizim në Ballkanit. Kur Ali Ahmeti u përfshi në këtë listë në vitin 2001, ai ishte angazhuar në këtë lloj veprimtarie.Që atëherë me fjalë dhe veprime, ai po tregon se është gjithnjë e më pak një kërcënim për qëndrueshmërinë e Ballkanit. Lista rishikohet vazhdimisht dhe emrat shpesh hiqen dhe vihen në të, por unë nuk jam në gjendje të bëj parashikime për emra të rinj që mund të futen aty, apo emra që mund të hiqen. Ali Ahmeti, që pas marrëveshjes së Ohriot ka qenë në mënyrë të vazhdueshme në favor vetëm të mjeteve paqësore për të realizuar ndryshime demokratike. Ai mori pjesë në zgjedhje me partinë e tij dhe që nga zgjedhjet, që nga formimi i qeverisë ka qenë i prerë në qëndrimin e tij në favor të zhvillimeve paqësore. Ai shkoi për herë të parë në Parlament, kur Presidenti Traikovski mbajti fjalimin për gjendjen e vendit. Në komentet e tij publike më pas, zoti Ahmeti e bëri të qartë se ishte atje që të respektonte kreun e shtetit të tij dhe shtetit të Maqedonisë dhe besoj se ky ishte simboli më i fuqishëm. Por ai nuk është i vetëm, ka një udhëheqje kolektive tek BDI-ja, ata janë të integruar mirë në qeveri dhe ne mendojmë se ata po bëjnë përparime duke iu larguar kryengritjes së vitit 2001 dhe cilatdo të kishin qenë objektivat e tyre, ata duket qartë se mendojnë që mund t’i arrijnë ato në arenën politike dhe jo përmes armëve.

EB: Zoti Ambasador, cilat janë sfidat kryesore me të cilat do të përballet Maqedonia këtë vit?

Amb. Buttler: Do të rendisja tre: Sfida e parë me të cilën përballet qeveria është gjendja fiskale. Ajo nuk ka shumë para në bankë. Një mision i FMN-së nga fundi i këtij muaji pritet të mbyllë bisedimet për një marrëveshje që po pret të arrihet, çka është kritike për zhbllokimin e disa fondeve nga dhuruesit perëndimorë. Sfida e dytë është hapja e vendeve të punës. Maqedonia ka një përqindje jashtëzakonisht të lartë papunësie, rreth 30-31 për qind. Është e qartë që popujt e Maqedonisë duan më shumë se kaq, duan punësimin më të mirë të mundshëm. Sfida e tretë do të jetë që gjithnjë e më tepër të rivendoset respektimi i shtetit ligjor, si përsa i takon luftës kundër korrupsionit brenda qeverisë dhe paralelisht me të lufta kundër krimit të organizuar, si edhe kundër krimeve të tjera si trafiqet që mund të shihen kudo në vend.//kk//

XS
SM
MD
LG