Lidhje

Projekt rezolutë për Kosovën; Intervistë me kryetarin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane Joseph Dioguardi - 2003-01-14


Komisioni i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve ka në rendin e ditës edhe një rezolutë për pavarësinë e Kosovës. Rezoluta, ende në fazën e parë të një procesi të gjatë miratimi në Kongres, u fut pas përpjekjeve lobiste të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane. Kryetari i kesaj Lidhje, Joseph Dioguardi, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se synimi i rezolutës është ti ushtrojë trysni Departamentit të Shtetit për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Kolegu ynë Arben Xhixho bisedoi me zotin Dioguardi nga studioja jonë në New York.

VOA: Javën e kaluar dy ligjvënës Henry Hide dhe Tom Lantosh paraqitën një rezolutë për pavarësinë e Kosovës në Kongres. Rezoluta është hartuar nga Lidhja Civile shqiptaro-amerikane. Fillimisht ju lutem, çfarë procedure do të ndiqet në Kongres mbi këtë rezolutë.

JD:Le të them se nuk janë thjesht dy ligjvenës. Ky është në moment i rëndësishëm. Lidhja jonë ka punuar shumë për të siguruar mbështetjen e ligjvenësit Henry Hyde që është kryetari i komisionit për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe Tom Lantosh, numri një i demokratëve në këtë komision. Pra rezoluta është paraqitur nga dy ligjvenës të rëndësishëm. Sot në Washington qeverisja është e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë. Republikanët kryesojnë në Kongres por me një diferencë të vogël votash. Administrata nuk mund të miratojë ato që do pa mbështetjen e drejtuesve të Kongresit. Pra mbështetja nga Henry Hyde i cili është angazhuar për miratimin e kësaj rezolute është e rëdësishme. Po aq e rëndësishme është edhe mbështetja e ligjvenësit Tom Lantosh. Tom Lantosh ka qënë i pari që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës që në vitin 1993 përmes një rezolute. Pra me njerëzit e duhur në Kongres ne mund t’i ushtrojmë trysni Departamentit të Shtetit që ta kuptojë se pa pavarësinë e Kosovës nuk mund të ketë paqe e stabilitet në Ballkan.

VOA: Zoti Dioguardi, rezoluta që po paraqitet tani në Kongres është paraqitur edhe më parë para disa muajsh nga ligjvënësi Beniamin Gilman por atëherë pa sukses. A mendoni se gëzoni një mbështetje më të madhe në Kongres që kjo rezolutë të kalojë me sukses?

JD: Rezoluta u paraqit me sukses në legjislaturën e mëparshme nga ligjvenësit Benjamin Gilman dhe Tom Lantosh. Ajo u paraqit në fund të legjislaturës së 107. Ndërsa tani po paraqitet në fillim të legjislaturës së 108. Dhe ajo zgjat për dy vjet. Në qershor të vitit të kaluar nuk ishte e mundur që Kongresi të hapte seancat me pyetje përgjigje për të shqyrtuar rezolutën. Por kryetari i tanishëm Komisionit Henry Hyde na premtoi që vitin e kaluar dhe e mbajti premtimin për ta futur rezolutën në rendin e ditës. Ai nuk i ndryshoi asnje fjalë tekstit. Pra mendoj se tani që kemi 2 vjet kohë, rezoluta do ketë mbështetje në Kongres.

VOA: Zoti Dioguardi, siç e dimë rregullat dhe procedurat në Kongres janë të ngadalta, shpesh të vështira dhe të komplikuara. A mendoni se rezoluta do të hidhet për votim në Kongres?

JD: Po besoj, pasi rezoluta mbështet nga kryetari dhe numri një i opozitës në komision. Ata drejtojnë një komision prej 30 ligjvenësish dhe ky është një sinjal i qartë edhe për anëtarët e tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve. Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi drejtohen nga republikanët, të cilët anojnë më tepër nga konservatorizmi, dhe Henry Hyde është një prej figurave të njohura republikane dhe besoj se ai do ta mbështesë me forcë këtë rezolutë. Besoj se vetëm hapi i parë, paraqitja e kesaj rezolute në Komision, ka tërhequr vëmendjen e departamentit të shtetit. Departamenti i Shtetit nuk është i tëri kundër pavarësisë. Prandaj ka rëndësi rezoluta. Këta ligjvenës me poste drejtuese në Kongres do t’i bëjnë trysni Departamentit të Shtetit se kjo është në interes të Shteteve të Bashkuara.

VOA: Zoti Dioguardi, siç e dimë rezoluta të tilla nuk kanë fuqi ligjore, pra administrata edhe në qoftë se miratohet rezoluta në Kongresnuk është e detyruar që ta zbatojë atë. Administrata amerikane deri tani ka mbështetur qëndrimin e administratorit Shtainer në Kosovë, pra që statusi përfundimtar i Kosovës duhet të diskutohet pasi të plotësohen një sërë standartesh. Në kushte të tilla çfarë vlere kanë këto rezoluta?

JD: Kjo rezolutë thotë se në bazë të ligjeve ndërkombëtare të gjithë njerëzit kanë të drejtë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Ky është parimi në të cilin është ndërtuar vendi ynë. Shqiptarët në Kosovë e kanë shpallur njëherë pavarësinë, ashtu siç bëri Sllovenia, Kroacia, e vende të tjera të rajonit. Por ajo nuk iu njoh. Prandaj duhet ta shpallin prapë. Tani që Millosheviçi është në Hagë, serbët nuk kanë të drejtë morale as ta diskutojnë çështjen e Kosovës. Pa dyshim që OKB-ja ka rezolutën 12-44, por janë Shtetet e Bashkuara ato që mbajtën peshën e përpjekjeve të Natos për të çliruar shqiptarët. Kombet e Bashkuara nuk bëjnë dot pa mbështetjen financiare dhe ushtarake të të Shteteve të Bashkaura. Rezoluta do t’i çojë një mesazh të qartë presidentit, se në Kongres egziston mbështetje nga të dyja partitë për pavarësinë e Kosovës. OKB-ja pa dyshim do ketë rol në proces, por Shtetet e Bashkuara duhet të vihen në krye të përpjekjeve, jo Franca, Rusia, Serbia ose Greqia. Ne duam që në krye të procesit të jenë Shtetet e Bashkaura, ashtu sic ishin në krye të përpjekjeve të Natos.

XS
SM
MD
LG