Lidhje

Kalendari Historik 22 janar - 2003-01-15


Më 22 janar 1973 me një vendim të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara përligji abortin për gratë amerikane. Gjykata e Lartë e mori këtë vendim në rastin e padisë Roe kundër Wade, që ishte ngritur nga një grua, së cilës në bazë të ligjeve të shtetit Teksas, i ishte mohuar e drejta për të dështuar një fetus që nuk donte ta mbante. Pasi kërkesa e saj u hodh poshtë nga një gjykatë e apelit e Teksasit, ajo iu drejtua gjykatës më të lartë të vendit. Me 7 vota pro dhe 2 kundër Gjykata e Lartë arriti në përfundimin që gratë kanë të drejtë ta dështojnë fetusin gjatë tre muajve të parë të shtatzanisë, por që shteti është i interesuar ta mbrojë fetusin kur ky bëhet i aftë të jetojë jashtë mitrës. Ky vendim i Gjykatës së Lartë mbetet i diskutueshëm edhe në ditët tona. Shumë nga ata që kundërshtojnë abortin thonë se ndërprerja e shtatzanisë është vrasje dhe që duke filluar nga çasti i mbetjes shtatzënë, fetusi gëzon të drejtën e mbrojtjes me kushtetutë.

Më 22 janar 1917 presidenti Woodrow Wilson u bëri thirrje palëve ndërluftuese në Evropë që t’u jepnin fund luftimeve të Luftës së Parë Botërore dhe të vendosnin paqe pa fitore. Në këtë kohë Shtetet e Bashkuara nuk kishin hyrë akoma në luftë. Në një fjalim drejtuar Senatit amerikan, presidenti Wilson tha: “Fitore do të thotë t’i imponosh paqen atij që ka humbur, t’i imponosh kushtet e fitimtarit të mundurit, gjë që do të linte në kujtesë një dhimbje të heshtur, një ndjenjë hidhërimi. Në fjalimin e tij zoti Wilson i bëri gjithashtu thirrje Kongresit që të ruajë asnjanësinë e përpiktë amerikane. Më vonë Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën e Parë Botërore, duke ndihmuar në fitoren e aleatëve të tyre në Evropë. Disa historianë thonë se një nga faktorët që do të çonte në Luftën e Dytë Botërore, ishte pakënaqësia e Gjermanisë nga kushtet e rënda që iu imponuan pasi humbi Luftën e Parë Botërore. //rd//

XS
SM
MD
LG