Lidhje

Kalendari Historik 23 janar - 2003-01-15


Më 23 janar 1964, qeveria amerikane ratifikoi Amendamentin e 24-të i Kushtetutës. Amendamenti ndalonte taksën që paguhej në qendrat e votimit si kusht për të votuar në zgjedhjet federale. Taksa për të votuar ishte një mbeturinë e periudhës pas Luftës Civile në shtetet e Jugut amerikan. Qëllimi i saj ishte të mos i lejonte të votonin qindra mijëra skllevër zezakë të sapoliruar. Megjithatë, amendamenti i 24-të nuk përfshinte zgjedhjet shtetërore dhe lokale. Një gjë e tillë e bënte amendamentin për heqjen e taksës së votimit krejt të paefektshëm në 5 shtetet e jugut, që vazhdonin ta mbanin taksën e votimit. Më 1965 Kongresi i Shteteve të Bashkuara u përpoq t’i mbyllë të çarat që kishte lënë amendamenti duke miratuar Ligjin mbi të Drejtat Elektorale. Në bazë të këtij ligji ndaloheshin provat për shkrim e këndim, e të tjera si këto, që përdoreshin për të diskriminuar zezakët dhe anëtarët e pakicave të tjera, të cilët i plotësonin të gjitha kushtet e tjera për të votuar. Më 1966 me vendim të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, taksat për çdo lloj votimi shpalleshin jokushtetuese.

Më 23 janar 1909, një mesazh i dërguar nga një radio me valë të shkurtëra u shpëtoi jetën ekuipazhit dhe qindra udhëtarëve të një anijeje të dëmtuar rëndë pas përplasjes me një anije tjetër në det. Ishte e para herë që përdorej për këtë qëllim teknologjia e ndërlidhjes me radio, e cila ishte instaluar në avulloren Republic. Një tjetër anije me avull ishte përplasur aksidentalisht me avulloren Republic, në mjegullën e dëndur në Lindje të ishullit Nantucket, në afërsi të brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara. Anija Republic pësoi një çarje të madhe dhe dhoma e motorëve të anijes u përmbyt. Gjashtë veta u vranë në çastin e përplasjes, por këta ishin të vetmet viktima. Qindra pasagjerë u shpëtuan për shkak të veprimeve të shpejta të radio-operatorit të anijes Republic, Jack Binns. Ai riparoi radion dhe filloi të transmetonte sinjalin e fatkeqësisë, ndërsa pjesa tjetër e ekuipazhit luftonte për ta mbajtur anijen mbi ujë. Një anije mallrash mbërriti në vendin e ngjarjes dhe i shpëtoi të gjithë udhëtarët e gjallë dhe ekuipazhin. Më pas anija Republic u fundos. Anija tjetër, e dëmtuar rëndë, që ishte përplasur me avulloren Republic, u kthye në port. //rd//

XS
SM
MD
LG