Lidhje

Jeffrey: luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar - 2003-01-15


Javën e kaluar, në Departamentin e Shtetit u zhvillua takimi vjetor me shefat e misioneve amerikane jashtë vendit. Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, James Jeffrey. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Ambasadori Jeffrey tha se sfidat kryesore për Shqipërinë janë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pa një luftë të rreptë kundër këtyre fenomeneve, tha Ambasadori Jeffrey, përpjekjet për të nxitur zhvillimin ekonomik do të hasnin në vështirësi.

EB:Zoti Ambasador, si i vlerësoni marrëdheniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërise dhe cilat janë interesat kryesore amerikane në atë vend?

JJ:Marrëdhëniet janë të shkëlqyera. Te Shqipëria ne kemi një mik dhe partner të fortë në Ballkan. E pamë këtë më 1999, e kemi parë këtë në përgjigjen e saj të shpejtë dhe bujare dhe shumë të vlefshme për luftën kundër terrorizmit. Synimet tona tani janë të punojmë në radhë të parë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, për të integruar Shqiperinë në institucionet Atlantike dhe Evropiane, me theks të veçantë në aleancën e Natos. Dhe si përfundim, por shumë e rëndësishme është të ndihmojmë shqiptarët dhe qeverinë e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Kjo është tejet e rëndësishme pasi po bëhet pengesë për kaq shumë gjera në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera dhe për të ardhmen e vendit.

EB:Si shqiptaret ashtu edhe te huajt thone se korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku njerezor, dhe lidhjet e zyrtarëve me krimin dhe ndërlikimin e tyre në veprimtari jo-ligjore perbejne sfidat kryesore per qeverine. Qeveri të ndryshme shqiptare kanë ndërmarrë fushata për të luftuar këto probleme, por në shumicën e rasteve rezultatet kanë qenë kryesisht simbolike. A shihni ju sot një angazhim real nga ana e autoriteteve shqiptare për t’i zgjidhur këto probleme? E ka shteti shqiptar aftësinë e duhur për t’i zgjdhur këto probleme?

JJ:Nje pyetje shumë e mirë. Pa dyshim ne shohim shumë shenja të mira të një angazhimi në rritje. Një shembull i kësaj është veprimi i efektshëm për të bllokuar trafikun dhe tregëtinë me skafët që ka ndikuar në uljen e ndjeshme të njerëzve që trafikohen nga Shqiperia për në Itali. Shembuj të tillë duhet të jenë më të shumtë. Përsa u përket burimeve që duhen për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në veçanti po i shtojnë ndjeshëm ndihmat në këtë drejtim. Bashkimi Evropian po dërgon 28 specialistë të doganave për të punuar me shqiptarët, ne po ndihmojmë me programe aktive policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin në Shqipëri. Kemi programe të shumta kualifikimi dhe vëzhgimi. OSBEja dhe një sërë institucionesh të tjera po punojnë me zyrtarë të të gjitha rangjeve në Shqipëri, që nga nivelet më të larta deri poshtë, për të luftuar këto probleme shumë, shumë serioze.

EB:Pas vitesh polarizmi te skajshem politik dhe tensionimi te rrezikshëm te marrdhenieve mids qeverises dhe opozites, Fatos Nano dhe Sali Berisha arritën marrëveshje dhe gjate gjashte muajve te fundit Shqiperia ka gezuar nje periudhe politike relativisht te qendrueshme. A mendoni se më në fund të palët janë sinqerisht të angazhuara për të bashkëpkunuar për zbatimin e reformave të nevojshme dhe për të zgjidhur problemet madhore me të cilat përballet sot Shqiperia?

JJ:Na bëhen shumë pyetje të kësaj natyre. Përgjigja është gjithmonë e njejtë. Ne nuk ndërhyjmë në problemet e brendshme, të qeverisë dhe të opozitës politike në një shtet demokratik. Shqipëria është një shtet demokratik dhe kjo është një nga anët e saj më të forta. Ajo që bëjmë ne është të gjykojmë rezultatet. Çdo gjë që ndihmon për stabilitetin, për forcimin e institucioneve demokratike, për respektimin e shtetit ligjor, për luftën kundër korrupsionit dhe për zhvillimin ekonomik të vendit do të mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar. Hapat që nuk ndihmojnë në këtë drejtim nuk do të mbështeten. Në Shqipëri po afrohen zgjedhjet vendore. Ne presim që sistemi zgjedhor në Shqipëri dhe partitë politike do ta përmirësojnë më tej sistemin dhe procesin elektoral. Rekomandimet e ODIHR-it janë shumë të vlefshme për këtë. Shtetet e Bashkaura i mbështesin ato.

EB: Shpesh ne shypin e vendeve fqinje si dhe ne disa gazeta shqiptare botohen artikuj mbi rrezikun e fundamentalizmit islamik ne Shqiperi. Nga kendveshtrimi i juaj, a eshte real nje rrezik i tille?

JJ:Ekziston gjithmonë rreziku i lidhjes së islamizmit ekstrem fondamentalist me terrorizmin jo vetëm në Shqipëri, por edhe këtu në Amerikë dhe në gjithë botën. Kjo nuk ka të bëjë me besimin e shumicës së popullsisë në një vend, por me mënyrën se si terroristët dhe ata që i mbështesin kanë arritur të futen nëpër institucione, qofshin ato këtu në Amerikë, në Hamburg, në Pakistan, në Shqipëri, në Greqi, Qipro, Turqi apo në vende të tjera.

EB: A paraqet problem për Shtetet e Bashkuara vazhdimi i anëtarësimit te Shqiperise ne organizaten Konferenca e Vendeve Islamike?

JJ:Jo nuk përbën asnjë problem. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me këtë organizatë. Kur punojë në Departamentin e Shtetit në drejtorinë për Lindjen e Afërme mbuloja edhe marrëdhëniet tona me këtë organizatë. Ne kemi një dialog shumë të mirë si me vendet anëtare ashtu edhe me vetë organizatën. Ajo është një organizatë e mirë që ndihmon në kuptimin më të mirë të njeri-tjetrit të botës islame me perëndimin dhe pjesën tjetër të botës. Ne e mbështesim vendimin sovran të Shqipërisë për të mbajtur qëndrimin që dëshiron ndaj saj.

EB:Zoti Amasador, cilat jane disa nga çështjet ose fushat ku Shtetet e Bashkuara do të deshironin të shihnin një angazhim më të madh nga qeveria gjatë vitit 2003?

JJ:Ju përmendët korrupsionin dhe kriminalitetin si problemet më të mëdha. Unë do t’i bëja kësaj një ndryshim shumë të vogël. Këto të dyja janë probleme shumë të rëndësishme por do të thoja që zhvillimi ekonomik është pengesa numër një, më e madhe që nuk po e lejon Shqipërinë të shfrytëzojë gjithë potencialet e saj po të kemi parasysh nivelin e arësimimit dhe kulturën e punës që është shumë e mirë. Problemi është se korrupsioni dhe kriminaliteti, apo mungesa e transparencës nga qeveria, jo vetëm, që janë shumë të dëmshme në vetvete, por ato bllokojnë zhvillimin ekonomik. Motori i këtij zhvillimi ekonomik është sektori privat, investimet e huaja, shkëmbimi i ideve, i njerëzve i prodhimeve përmes kufijve. Në se njerëzit kanë mendimin se Shqipëria nuk është kaq konkurente përsa i përket luftës kundër korrupsionit atëhere paratë dhe njerëzit do të shkojnë gjetiu dhe të gjitha përpjekjet tona për të nxitur zhvillimin ekonomik do të ndeshin në vështirësi. Prandaj si qëllim në vetvete, si synim që politika të mbesë e lirë dhe e drejtë, por më e rëndësishmja si një element kyç i zhvillimit ekonomik, vëmendja jonë duhet të përqëndrohet në luftën kundër krimit dhe korrupsonit. Dua të theksoj edhe një herë në përfundim se Shqipëria është një mik dhe partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara dhe ne presim marrëdhënie edhe më të ngushta ndërsa muajt e ardhshëm mund të jenë të trazuar si në rajon edhe në botë./ii

XS
SM
MD
LG