Lidhje

Grate afgane - 2003-01-15


Gjashtëmbëdhjetë muaj më parë, gratë e Afganistanit jetonin nën regjimin taleban, pothuajse në izolim të plotë. Gratë përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së Afganistanit. Por nën regjimin taleban, gratë nuk ishin të lejuara të punonin jashtë shtëpisë. Gratë nuk mundë të shkonin në shkollë. Ato nuk mundë të dilnin nga shtëpia nëse nuk ishin të shoqëruara nga një burrë prej farefisit. Izolimi i grave afgane nuk ishte normal në bazë të standarteve ndërkombëtare, as në bazë të standarteve islamike dhe as në bazë të atyre afgane.

Para se talebanët të vinin në pushtet, gratë afgane zgjidheshin në parlamentin e vendit. Gratë punonin si mjeke, mësuese si dhe në profesione të tjera. Sot, nën qeverinë e përkohëshme të drejtuar nga presidenti Hamid Karzai, gratë edhe njëherë po luajnë rol aktiv në shoqërinë afgane. Dy gra shërbejnë në kabinetin e presidentit Karzai. Të tjera janë kthyer në karrierat e tyre në shkolla, përfshirë universistetet, si edhe fusha të tjera.

Këtë muaj, zëvendës-sekretarja amerikane e shtetit për çështjet globale, Paula Dobriansky, udhëhoqi një delegacion të përbërë nga zyrtare të larta të qeverisë dhe përfaqësuese të sektorit privat, për të marrë pjesë në takimin e dytë të Këshillit Amerikano Afgan të Grave Afganase në Kabul, takimi i parë i këtij lloji që mbahet në Afganistan. Sesioni përurues u mbajt në Washington në prill të vitit të kaluar. Në Kabul, Amerika bëri të njohur një dhurim prej rreth 2 milionë e 500 mijë dollarësh për ngritjen e qendrave të grave në 14 krahina të Afganistanit. Këto qëndra do t’u ofrojnë grave programe për kurse kualifikimi, kurse në politikë, biznes, të drejtat e njeriut, arsim si edhe shërbime sociale për gratë e veja dhe jetimët. Një ndihmë tjetër prej 1 milion dollarësh u dhurua nga Washingtoni për programe arsimore dhe për të ndihmuar gratë afgane të marrin pjesë në jetën e vendit edhe si afariste.

Në Afganistan është nevoja të bëhet përparim shumë më i madh, veçanërisht në fushën e arsimit. Kjo, tha nënsekretarja amerikane e shtetit, Paula Dobriansky, është qenësore për zhvillimin e çdo shoqërie dhe gratë kanë një rol të veçantë. Dhe duke u arsimuar, gratë nuk sigurojnë vetëm përfitime personale, por i shërbejnë edhe të ardhmes së strukturës shoqërore të Afganistanit.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të vendosura për të ndihmuar në rindërtimin e Afganistanit. Duke ndihmuar popullin afgan në përpjekjet për rindërtimin e vendit të tij, tha presidenti Bush, ne jemi përqëndruar në fushën e arsimit. Shkollimi është rruga drejt suksesit. Gratë e shkolluara, theksoi presidenti Bush, nxisin edhe fëmijët e tyre të arsimohen. Vendet ku gratë janë të arsimuara, janë më konkuruese, më të begatshme dhe më të përparuara se vendet ku shkollimi i grave është i ndaluar apo i lënë pas dore. //kh*//

XS
SM
MD
LG