Lidhje

Blix kërkon më shumë bashkëpunim nga Iraku - 2003-01-15


Kryeinspektori i Kombeve të Bashkuara për armët Hans Blix tha se Iraku nuk po bashkëpunon sa duhet me inspektorët, ndërkohë që këta të fundit kërkojnë për armë të ndaluara.

Duke folur sot me gazetarët në Qipro, zoti Blix tha se Iraku u ka dhënë inspektorëve leje të menjëhershme për të hyrë në vendet që ata kanë dashur të hyjnë. Por ai shtoi se bashkëpunimi irakian nuk ka qënë i mjaftueshëm në ato që ai i cilësoi si çështje thelbësore.

Zoti Blix tha se do të kërkojë shpjegime rreth mangësive në deklaratën e fundit të armëve të Irakut kur ai dhe kryetari i agjencisë së Kombeve të Bashkaura për armët bërthamore, Mohamed El-Baradei, të takohen me zyrtarët në Bagdad nesër. Zoti Blix tha se ai dhe zoti El-Baradei do t’ia theksojnë seriozitetin e gjendjes zyrtarëve irakianë.

Dje, Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha se Iraku nuk po bashkëpunon me inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët. Ai shtoi se mungesa e bashkëpunimit nga ana e Irakut do të provohet në fund të muajit, kur inspektorët e OKB-së, t’i raportojnë Këshillit të Sigurimit mbi misionin e tyre në Irak.

Ekipet e inspektorëve vazhduan sot punën e tyre, duke vizituar disa qendra, përfshirë Universitetin e Bagdadit.

Presidenti Bush ka thënë në mënyrë të përsëritur se do të dërgojë forca të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Irak, në qoftë se Bagdadi nuk heq dorë nga armët e tij të ndaluara të shkatërrimit në masë. Iraku thotë se nuk ka më armë të tilla.

Ndërkaq, prania ushtarake amerikane në Gjirin Persik u shtua dje vonë, kur 7 luftanije të tjera me 10 mijë trupa u nisën nga San Diego e Kalifornisë. Ato janë pjesë e dislokimit të përgjithshëm të trupave në rajon që thuhet se mund të arrijë në 250 mijë gjatë muajve të ardhshëm.

//ze//

XS
SM
MD
LG