Lidhje

Regjimi i Sadam Huseinit dhe pakicat kurde - 2003-01-15


Më 1979, menjëherë pas ardhjes në pushtet, Saddam Husseini i mbylli gojën opozitës në Irak. Ai gjithashtu është përpjekur t’u mbyll gojën pakicave etnike dhe atyre fetare. Gjatë fushatës Anfal në vitet 1987-88, regjimi i Irakut eliminoi mbi 4 mijë fshatra kurde dhe i detyroi kurdët e tjerë që kishin mbijetuar që të zhvendoseshin. Besohet se numri i kurdëve të vrarë arriti derë në 182 mijë. Mijëra u vranë me gaz helmues.

Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit me titullin ”Iraku: Një popullatë me gojë të mbyllur” përshkruan ngjarjet në një fshat kurd. Në mars të vitit 1988, Halabja, fshat ky me popullsi prej 80 mijë banorësh, u sulmua nga forcat ajrore të Irakut. Gjatë ofenzivës tre ditëshe, forcat irakiane përdorën gazin helmues, pastaj helme të ndryshme nervore dhe VX, helm ky kimik me veti tepër vdekjeprurëse. Të paktën 5 mijë civilë u vranë vetëm në orët e para të sulmit. Mijëra të tjera vuajtën dhe pas disa viteve edhe vdiqën. Ata që mbijetuan sulmin vazhdojnë të vuajnë nga një shkallë e lartë e sëmundjes së kancerit, dëmtimeve nervore, dhe çrregullimeve psikologjike.

Nën urdhërat e Saddam Husseinit, organet e sigurimit në Irak shpesh herë dhe sistematikisht kanë torturuar qytetarë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe ata kurdë. Rrahjet, dhunimet, thyerja e gjymtyrëve, dhe mohimi i ushqimit dhe ujit janë dukuri të shpeshta nëpër burgjet e Irakut. Balen Ahmed Salih, ish i burgosur politik në Irak, punon tani për shërbimin kurd të Zërit të Amerikës. Në një deklaratë përpara Grupit të Kongresit amerikan për të drejtat e njeriut, zoti Salih tha se ai ishte arrestuar më 1982. Ai ishte mes një numri studentësh kurdë, që morrën pjesën në një demonstratë kundër regjimit irakian.

Zoti Salih tha se ai dhe studentët e tjerë të burgosur ”iu nënshtruan formave të ndryshme të torturave fizike çdo ditë nga ora tetë e mbrëmjes deri të nesërmen.” Çdo natë, tha zoti Salih, atij ia lidhnin duart mbrapa shpine dhe e varnin në tavan. Ai po ashtu ishte torturuar me shok elektrik, pastaj rojet ia shuanin cigaret ne trup, dhe e rrahnin atë me kabllo deri sa i binte të fikët.

Një natë, zoti Salih tha se rojet e burgut kishin çuar në qelinë e tij një njeri që po vdiste. Trupi i tij ishte i djegur me shufra elektrike, sytë ia kishin nxjerrë dhe hunda ia kishte prerë. Shefi i sigurimit i kishte ardhur zotit Salih te dera e qelisë dhe i kishte thënë ”A do të përfundosh edhe ti si ky?”

Balen Ahmed Salih më në fudn u lirua dhe arriti të vinte në Amerikë. Për nëntë muaj, ai ishte nën kujdesin e mjekëve për shkak të plagëve fizike dhe psiqike.

E tillë është natyra e regjimit me të cilin po përballet sot bota. Regjimi irakian është kërcënim për fqinjët e tij dhe për vetë qytetarët e Irakut.

//rd//

XS
SM
MD
LG