Lidhje

Kalendari Historik 16 janar - 2003-01-15


Më 16 janar të vitit 1920 hyri në fuqi Ligji Volstead, i cili ndalonte pijet alkoolike në Shtetet e Bashkuara. Ky ligj konfirmonte dispozitat e amendamentit të 18-të të Kushtetutës Amerikane, i cili ndalonte prodhimin, shitjen, transportin dhe importin e pijeve akoolike në Shtetet e Bashkuara. Ligjit iu dha emri i ligjëvënësit të Minesotës, Andrew Volstead, i cili e kishte propozuar atë në vitin 1919. Në bazë të Ligjit Volkstead, përcaktoheshin si alkoolike, të gjitha pijet që përmbanin zero presje zero pesë përqind alkool. Ky ligj fuqizonte amendamentin e vitit 1919 për ndalimin e pijeve alkoolike, duke caktuar gjoba dhe afate burgimi për ata që e shkelnin atë dhe autorizonte Byronë e Taksave që të kontrollonte zbatimin e tij. Megjithatë pasi hyri në fuqi, doli që ky ligj ishte jashtëzakonisht i vështirë për t’u zbatuar. Megjithëse niveli i konsumit të pijeve alkoolike mendohej që në përgjithësi ishte ulur, përdorimi i pijeve alkoolike vazhdonte në mënyrë të pandërprerë në qytetet e mëdha amerikane. Në vitin 1933 amendamenti për Ndalimin e Pijeve Alkoolike u shfuqizua nga amendamenti i 21-të i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Më 16 janar 1883 presidenti Chester A. Arthur, nënshkroi Ligjin Pendleton, i cili reformonte praktikat e punësimit në qeverinë federale. Më parë thuajse të gjitha punët në qeverinë federale ishin në kompetencat e presidentit dhe të anëtarëve të Kongresit. Njerëzit merreshin në punë duke u bazuar në lidhjet familjare, politike, miqësitë dhe paratë. Ata që merreshin në punë pritej t’i jepnin një pjesë të rrogës së tyre personit që i kishte marrë nën mbrojtje dhe të punonin për fushatat e tij politike. Përballë kërkesave për të reformuar shërbimin federal, pas Luftës Civile Amerikane, senatori George Pendleton, i Ohios, propozoi një ligj për heqjen e praktikave të kujdestarisë në punësimet federale. Ligji parashikonte krijimin e një sistemi për vlerësimin e meritave personale gjatë procesit të marrjes në punë dhe ngritjes në pozitë të nëpunësve qeveritarë. //rd//

XS
SM
MD
LG