Lidhje

SHBA: Shqipëria të bëjë përparime që të vazhdojë të marrë ndihmë - 2003-01-18


Politika e dhënies së ndihmave amerikane për vendet e tjera, ka ndryshuar drejtim me prirjen për të pasqyruar mbrojtjen e interesave kombëtare amerikane. Ndërkohë sipas administratës së presidentit Bush, ndihma duhet të jepet jo në bazë të premtimeve, por arritjeve dhe përdorimit të mirë të saj. Këto ndryshime dhe faktorë të tjerë mund të ndikojnë në sasinë e ndihmës amerikane për Shqipërinë.

Ndihmës-administratori i agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar USAID, përgjegjës për Evropën dhe Eurazinë, Kent Hill thotë për Zërin e Amerikës se nisma për krijimin e Fondit tregon bindjen e Presidentit se nëse udhëheqësit kanë vullnetin të bëjnë reforma që sjellim përparime, qeveria amerikane do të ketë më shumë vullnet që t’u japë atyre më shumë ndihmë.

Duke folur për Shqipërinë, zoti Hill thotë se ashtu si vende të tjera të Evropës Lindore, Shqipëria ka probleme me korrupsionin, probleme të mëdha me trafiqet, ka vështirësi të mëdha ekonomike etj.

“Strategjia e Presidentit Bush e bën shumë të qartë se nëse një vend si Shqipëria ka vullnetin të ecë përpara, ka më shumë shpresa që ndihma të vazhdojë. Nëse zyrtarët në Shqipëri kanë vullnetin të bashkëpunojnë me ne, kjo e lehtëson argumentimin e kërkesës tonë drejtuar Kongresit për vazhdimësinë e ndihmës për këtë vend”, thotë zoti Hill.

Ai thekson se Shqipëria është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, duke lënë të kuptohet se ndihma për të nuk rrezikohet nga ideja e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar vende që paraqesin më shumë interes strategjik për to.

Por pavarësisht nga ky pohim, në fakt ndryshimi i përparësive në politikën e jashtme amerikane ka sjellë pasojat e veta. Zoti Hill thotë se fondet për vendet ish-komuniste në Evropën Lindore, po pakësohen dhe Shqipëria është prekur nga një pjesë e kësaj rënieje.

Shqipëria parashikohet të marrë rreth 28 milion dollarë ndihmë amerikane këtë vit, shifër që do të vërtetohet me miratimin e buxhetit në Kongres, në krahasim me 35 milionë dollarë që ka marrë vitin e kaluar.

KK: Zoti Hill, për herë të parë në Strategjinë për Sigurinë Kombëtare vitin e kaluar, ndihma e huaj u rendit si shtylla e tretë përkrah diplomacisë dhe mbrojtjes. Çfarë duhet të presin vendet e huaja nga ky ndryshim dhe a do të ndryshojë ndihma e huaj për ta?

KH: Në mars të vitit të kaluar, Presidenti (Bush) mbajti një fjalim të rëndësishëm, në të cilin u shfaqën shenjat për një ndryshim madhor në politikën e jashtme, përsa i takon ndihmës amerikane për vendet e huaja. Si rrjedhojë u krijua Fondi për Sfidën e Mijëvjeçarit, i cili brenda një periudhe rreth trevjeçare do ta shtojë me 5 miliardë dollarë ndihmën amerikane, një rritje prej afro 50 për qind. Kjo nismë vërteton se ndihma amerikane për zhvillim është një pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë për sigurinë kombëtare. Po ashtu ajo tregon se përparimi ekonomik dhe politik i vendeve ka një rëndësi thelbësore, pasi bota është më e sigurt nëse ato ecin përpara. Por përveç kësaj, nisma tregon bindjen e Presidentit se ne duhet t’u japim më shumë ndihmë vendeve që e përdorin mirë atë dhe atyre që kanë udhëheqjen e cila jep prova se është e angazhuar për qeverisje të mirë demokratike, se po merr vendime që synojnë përmirësimin e nivelit të jetesës. Domethënë, nëse udhëheqësit kanë vullnetin të bëjnë reforma që sjellim përparime, qeveria amerikane do të ketë më shumë vullnet që t’u japë atyre më shumë ndihmë. Do të jetë pak a shumë një nxitje që do të shpërblejë ato vende që marrin vendimet e forta të nevojshme për të shkuar drejt reformave që sjellin përparimin.

KK: Disa nga problemet që ju përmendët për Fondin e Sfidës së Mijëvjeçarit, ekzistojnë edhe në Shqipëri. Si mendoni se do të preket ndihma për Shqipërinë nga këto probleme?

KH: Ashtu si vende të tjera të Evropës Lindore, Shqipëria ka probleme me korrupsionin, probleme të mëdha me trafiqet, ka vështirësi të mëdha ekonomike etj. Strategjia e Presidentit Bush e bën shumë të qartë se nëse një vend si Shqipëria ka vullnetin të ecë përpara, ka më shumë shpresa që ndihma të vazhdojë. Ne përballemi me pakësim të ndihmës për pjesë të ndryshme të botës dhe nuk është e lehtë që të garantohet e njëjta sasi e ndihmës qoftë edhe në krahasim me vitin e kaluar. Por çfarëdo sasie ndihme të jetë e mundur, duke marrë parasysh kufizimet në buxhet, ne duam t’ia japim ato para vendeve ku është e qartë se ka një ndjenjë përgjegjësie për reformat. Kështuqë nëse zyrtarët në Shqipëri kanë vullnetin të bashkëpunojnë me ne, kjo e lehtëson argumentimin e kërkesës tonë drejtuar Kongresit për vazhdimësinë e ndihmës për këtë vend. Dhe ne po përpiqemi ta vazhdojmë mbështetjen, në mënyrë që Shqipëria të bëhet një shoqëri krejtësisht demokratike me reforma ekonomike nga të cilat të përfitojnë të gjithë qytetarët. Në Shqipëri ka ende shumë probleme ekonomike dhe korrupsioni i dëmton të gjithë. Por nëse Shqipëria do të bashkëpunojë me programet e ndihmës amerikane në mënyrë që të ndërmerren hapa për përmirësimin e gjendjes, kjo do ta ndihmonte atë, por edhe ne që të argumentonim kërkesën për vazhdimësinë e ndihmës.

KK: A mendoni se udhëheqja në Shqipëri po bën aq sa duhet për t’i trajtuar këto probleme dhe për ta marrë ndihmën, për të trajtuar probleme si krimi i organizuar, korrupsioni dhe reformat e përgjithshme në vend dhe a mendoni se ideja e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar vendet për të cilat ajo ka interes kombëtar mund të pengojë vendet e tjera që të marrin këtë lloj ndihme?

KH: Më lejoni t’i përgjigjem në fillim pjesës së dytë të pyetjes. Unë mendoj se Shqipëria është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Përsa i takon Evropës Lindore dhe rajonit të Ballkanit, Shqipëria ndodhet në një pozicion shumë të rëndësishëm. Ne jemi shumë të interesuar që Shqipëria të përparojë ekonomikisht dhe politikisht. Ka shumë njerëz në Kongres dhe këu në agjencinë amerikane për zhvillim ndërkombëtar që duan të nxisin vazhdimësinë e ndihmës për Shqipërinë. Përsa i takon pjesës së pyetjes për shkallën e përgjegjshmërisë së udhëheqësve, do të thoja se në çdo vend ka një spektër të udhëheqësve politikë dhe kjo vlen edhe për Shqipërinë, ku ekzistojnë politikanë të të gjitha llojeve. Unë e di që disa njerëz në agjencinë tonë mendojnë se ka zyrtarë shqiptarë me të cilët ata vërtet mund të punojnë dhe që kuptojnë se çfarë duhet të bëhet për të bashkëpunuar. Por ka raste të tjera që ata punojnë me zyrtarë për të cilët kanë ndjesinë se nuk janë aq të angazhuar sa ç’do të donim ne. Ne bashkëpunojmë me ata që na mbështesin dhe janë të hapur dhe nuk punojmë edha aq shumë me ata që nuk janë aq të hapur. Fondet për vendet ish-komuniste në Evropën Lindore, në bazë të programit SEAD të ndërtuar për këtë qëllim, po pakësohen dhe Shqipëria është prekur nga një pjesë e kësaj rënieje. Kështuqë ndoshta kemi më pak fonde se para një viti. Besoj se shuma e parave për vitin 2003 mund të jetë rreth 28 milion dollarë, por nuk e dimë me siguri sepse Kongresi nuk e ka miratuar ende buxhetin përfundimtar. Besoj se agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar do të kontribuojë me ato para në programe të ndryshme si ato për bujqësinë, konsolidimin e demokracisë dhe kreditë e vogla, për punën në nismat për luftën kundër trafiqeve. Besoj se do të kemi fonde për këtë vit që mund të sjellin përmirësime në Shqipëri.

KK: A ka ndonjë pjesë të ndihmës në Shqipëri që është e përqendruar në problemet e grave, meqenëse ato përbëjnë një faktor të rëndësishëm social?

KH: Ky është drejtimi i tretë ku ne përqendrojmë ndihmën. Ne japim asistencë në fushën ekonomike, në fushën e demokracisë dhe politikës dhe e treta është qëndrueshmëria sociale. Ne përpiqemi të punojmë për gratë që kanë probleme shëndetësore. Gratë janë objekt i shfrytëzimit që ka lidhje me trafikimin njerëzor. Herën e fundit që isha në Shqipëri, ne paraqitëm një program shumë të gjerë për luftën kundër trafikut, që do t’i ndihmojë gratë. Ne jemi shumë të shqetësuar për gjendjen e grave në Shqipëri dhe angazhimi ynë për përmirësimin e gjendjes së tyre do të vazhdojë dhe është një përparësi për qeverinë e Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG