Lidhje

Shtetet e Bashkuara nuk do të ndalen deri në gjetjen dhe shkatërrimin e al-Qaidës dhe grupeve të tjera terroriste - 2003-01-19


Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë deri në gjetjen dhe shkatërrimin e rrjetit al-Qaida, të Osama bin Ladenit, dhe të grupeve të tjera terroriste në botë. Siç ka thënë presidenti Bush para Asanmblesë së Përgjithshme të OKBs, ”Asnjë skutë në botë, sado e largët apo e errët qoftë, nuk mund t’i mbrojë ata.”

Detyrat kryesore të kombeve të qyteruara në luftën kundër terrorizmit u përcaktuan nga Këshilli i Sigurimit i OKBs, vetëm tre javë mbas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara. Rezoluta 1-3-7-3 e këshillit u kërkon të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që të ndalojnë financimin, mbështetjen, dhe strehimin e terroristëve. Vendet anëtare të OKBs gjithashtu kanë përgjegjësinë që të bashkërendojnë përpjekjet anti terroriste të organeve të tyre të ruajtjes së rendit.

Deri më tani janë bërë përparime të dukshme. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara shpartalloi rrjetin terrorist të Al-Qaidës në Afganistan dhe ndihmoi në përmbysjen e përkrahësve të tyre talebanë. Janë shkatërruar celula terroriste në Shtetet e Bashkuara, Lindjen e Mesme, Evropë dhe Azi. Mbi 100 milionë dollarë në prona të terroristëve janë bllokuar. Shtetet e Bashkuara kanë stërvitur forca për veprime anti terroriste në Filipine, Jemen, ish republikën sovjetike të Gjeorgjisë, dhe në vende të tjera.

Por mbetet ende shumë për tu bërë. Së pari, dhe më e rëndësishmja, vendet kudo në botë duhet të vazhdojnë të mbeten të bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Ndjekja e terroristëve të njohur duhet të intesifikohet. Qindra celula sekrete terroriste në disa dhjetra vende duhet të zbulohen dhe të shkatërrohen. Rrjete financiare dhe organizata bamirësie të rreme, të cilat financojnë grupet terroriste, duhet të mbyllen. Qeveritë duhet të pengojnë përpjekjet e terroristëve për të shtënë në dorë materiale, teknologji, apo ekspertizë për prodhimin dhe shpërndarjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Çdo vend është i interesuar që të ç’rrënjosë terrorizmin. Siç ka thënë presidenti Bush ”terroristët vrasin sepse ata inspirojnë të dominojnë. Ata përpiqen të përmbysin qeveri dhe të prishin stabilitetin e rajoneve të tëra. Asnjë vend nuk mund të jetë asnjanës në këtë konflikt, sepse asnjë vend i qytetëruar nuk mund të jetë i sigurtë në një botë të kërcënuar nga terrori.”//ic//

XS
SM
MD
LG