Lidhje

Zyrtarë të lartë amerikanë paralajmërojnë Irakun se po i mbaron afati - 2003-01-19


Inspektorët shpresojnë të sigurojnë një bashkëpunim më të madh nga Iraku para dorëzimit në Këshillin e Sigurimit të raportit të rëndësishëm të 27 janarit. Kryeinspektori armëve, Hans Blix, tha për rrjetin televiziv CNN se gjatë ditëve të fundit janë vënë re disa probleme.

“Sigurisht, ne u themi irakianëve, se sipas nesh ata ndodhen para një rreziku të madh, dhe se situata është e tensionuar. Dhe se ata duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të bashkëpunuar dhe të na sigurojnë kushtet më të mira të punës”.

Inspektorët thonë se do t’u duhen muaj të përfundojnë punën e tyre. Por gjatë një interviste për televizion, sekretari amerikan i shtetit, Donald Rumsfeld, u shpreh për afate shumë më të shkurtra kohore.

“Nëse pyetja qëndron “a do të bashkëpunojnë irakianët apo jo”, kjo është diçka që mund të mësohet brenda disa javësh, dhe jo për disa muaj”.

Zoti Rumsfeld gjithashtu foli rreth mundësisë së mërgimit të Sadam Huseinit. Në një intervistë tjetër për rrjetin televiziv, ABC, ai u pyet nëse Shtetet e Bashkuara do ofrojnë imunitet nga gjykimet për krime lufte.

Sekretari i mbrojtjes tha se kjo është një çështje që vendoset nga presidenti dhe prokurori i përgjithshëm, por ai e bëri të qartë se nuk do të ishte kundër.

“Personalisht do të rekomandoja se për të shmangur luftën ne mund të kemi disa klauzola për t’u siguruar udhëheqësve kryesorë atje dhe familjeve të tyre strehim në ndonjë vend tjetër. Mendoj se kjo do të ishte e drejtë në këmbim për shmangien e luftës”.

Zoti Rumsfeld vazhdoi duke thënë se ekziston gjithnjë mundësia që populli irakian të veprojë vetë.

“Mendoj se populli atje e di se çfarë regjimi mizor Saddam Husseini drejton dhe se ata mund të vendosin që ta përmbysin atë nga pushteti”.

Në programin e rrjetit televiziv, NBC, “Takim me Shtypin”, këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Sigurimin Kombëtar, Condoleezza Rice, tha se ajo do të preferonte eksplorimin e të gjitha mënyrave për ta përmbysur Sadam Huseinin. Por ajo gjithashtu paralajmëroi:

“Mendoj se nuk ka gjasa që ky person të largohet ndryshe veçse nëpërmjet forcës”.

Zonja Rice përsëriti qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë se nuk egziston ndonjë afat për inspektorët e armëve apo afat për marrjen e një vendimi për veprime ushtarake. Ajo vuri edhe njëherë në dukje se raporti i 27 janarit i inspektorëve të armëve do të jetë i rëndësishëm, dhe se mund të shënojë fillimin sipas saj të “fazës përfundimtare”.//ic//

XS
SM
MD
LG