Lidhje

Thellohet mosmarrëveshja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi përdorimin e forcës në Irak - 2003-01-22


Shumica e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina, Rusia dhe Franca, janë të mendimit se provat janë të pamjaftueshme për të justifikuar një sulm kundër Irakut. Kjo është në kontrast të thellë me mendimin e dy anëtarëve të tjera të Këshillit të Sigurimit, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, të cilat kanë arritur tashmë në përfundimin se Bagdadi nuk po bashkëpunon me inspektorët e armëve. Të dyja vendet po vazhdojnë përqendrimin masiv të trupave ushtarake në gjirin Persik në përgatitje për një sulm të mundshëm.

Kjo çarje mes anëtareve të Këshillit të Sigurimit shtyu sekretarin amerikan të shtetit, Colin Powell, dhe homologun e tij britanik Straw që të përdorin një gjuhë të ashpër. Në fjalën e tyre dje ata veçuan Francën dhe Gjermaninë se po i shmangen rezolutës 14-41 të Këshillit të Sigurimit, e cila parashikon “pasoja serioze” nëse Bagdadi nuk çarmatoset.

“Të gjithë e nënshkruam atë, përfshirë edhe Gjermaninë. Është e qartë se Iraku e ka shkelur rezolutën. Ai e ka bërë këtë edhe në të kaluarën. Ai ka tani mundësi që ta rregullojë gjendjen duke u çarmatosur”.

Sekretari i jashtëm britanik Straw përfshiu edhe Francën në kritikat e tij.

“Të gjithë e dinin se ‘pasoja serioze’ nënkupton vetëm një gjë: përdorimin e forcës. Është i dokumentuar fakti se presidenti Chirak pranoi se forca mund të përdoret për të siguruar përmbushjen e vullnetit të Kombeve të Bashkuara”.

Të hënën kryeinspektori i armëve të Kombeve të Bashkuara, Hans Blix, do të paraqesë para Këshillit të Sigurimit një raport tepër të rëndësishëm, ku do të pasqyrohet se çfarë është gjetur nga ekipi i tij gjatë qindra kërkimeve që kanë zhvilluar që nga nëntori i vitit të kaluar, si dhe niveli i bashkëpunimit nga ana e Irakut.

“Disa gjëra ecën mirë, si për shembull mundësia e menjëhershme për të hyrë në objekte për kontroll. Por ka aspekte të tjera me të cilat ne nuk jemi shumë të kënaqur”.

Por nëse ky raport do të bindë aleatët e lëkundur të Shteteve të Bashkuara mbi domosdoshmërinë e përdorimit të forcës është ende një çështje për diskutim, ashtu sikurse është për diskutim edhe çështja nëse Këshilli i Sigurimit do të bjerë dakord të votojë për një rezolutë të dytë që autorizon veprime ushtarake apo thjesht do të vendosë që inspektimet të vazhdojnë. Një diplomat gjerman i tha Zërit të Amerikës se Gjermania mund t’i kërkojë Hans Blixit që në shkurt, kur Gjermania të jetë kryetarja e rradhës e Këshillit të Sigurimit, të paraqesë një raport të dytë.

Por sekretari Powell vazhdon të besojë se në bazë të rezolutave egzistuese Shtetet e Bashkuara e kanë tashmë autoritetin për të pushtuar Irakun dhe se në fund vendet e tjera do të bien dakord, pavarësisht nga mendimi i aleatëve kyç.

“Jam i bindur se në fund shtetet e tjera do të bashkohen me ne. Shumë shtetet kanë shprehur tashmë gadishmëri për të shërbyer në koalicion”.

Ndërkohë, dje vendet arabe fqinje të Irakut i bënë thirrje presidentit Sadam Husein që të bashkëpunojë plotësisht me inspektorët e armëve. Mbas takimit të tyre në Turqi, ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve lëshuan një deklaratë duke thënë se rajoni nuk dëshiron të shohë një luftë tjetër dhe i bënë thirrje Bagdadit që të përmbushë përgjegjësitë e tij për të çarmatosur.//ic//

XS
SM
MD
LG