Lidhje

Cilat janë shanset e një ndërhyrjeje në Irak? - 2003-01-22


Inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët ndodhen në Irak, ku po kërkojnë për prova se regjimi i Sadam Huseinit ka armë të shkatërrimit në masë. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po përgatiten për një luftë të mundshme kundër regjimit të Sadam Huseinit. Dhjetëra mijëra trupa amerikane janë nisur për në rajonin e Gjirit Persik, ku pritet që grumbullimi i forcave të përfundoi brenda pak javësh. John Wolfsthall është zëvendësdrejtor i projektit të mospërhapjes së armëve bërthamore të Fondacionit Carnegie për Paqen Ndërkombëtare. Ai thotë se miratimi i një rezolute të Kombeve të Bashkuara që do të autorizonte veprimet ushtarake do të ishte më i lehtë sikur inspektimet tregojnë qartë se Iraku po fsheh armë të shkatërrimit në masë.

Zoti Wolfsthal shton se Presidenti Bush dhe kryeministri britanik, Tony Blair, kanë thënë se megjithëse do të parapëlqenin një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, ata janë të gatshëm të ndërhyjnë edhe pa të, nëse është e nevojshme. Por ai thotë se që Kombet e Bashkuara të hartojnë një rezolutë të re, duhet që të ketë prova të forta se në Irak ka armë të shkatërrimit në masë.

“Nëse gjendet një kompleks ose arsenal armësh kimike, ose një laborator armësh biologjike, raketa me rreze të gjatë veprimi, çdo gjë që mund ta fotografosh dhe të jesh në gjendje të argumentosh se ajo është nje shkelje e dukshme, besoj se pastaj mund t’i bindësh lehtë vendet e tjera për ndërhyrjen”, thotë ai.

Gary Schmitt është drejtor ekzekutiv i Projektit për organizatën Shekulli i Ri Amerikan. Ai thotë se Iraku mund t’ia dalë me sukses t’i fshehë armët nga inspektorët.

“Bagdadi ka patur prej kohësh një program për të fshehur pikërisht armët që ne po përpiqemi të gjejmë. Irakianët dinë sesi ta bëjnë këtë. E kanë bërë këtë edhe në të kaluarën. Ata kanë 10 vjet përvojë për të mësuar sesi ta bëjnë këtë. Dhe është një detyrë shumë e vështirë për 200 vetë, që të shkojnë nëpër objekte në një vend të madh sa Franca dhe të zbulojnë për shmebull një laborator biologjik të lëvizshëm”, thotë zoti Schmitt.

Por zoti Wolfsthal thotë se edhe nëse Iraku është në gjendje t’i fshehë armët nga inspektorët, Shtetet e Bashkuara do të kenë përkrahjen e aleatëve të rëndësishëm

“Pa dyshim që gjërat bëhen më të thjeshta për planifikimin ushtarak të Shteteve të Bashkuara, nëse ne gjejmë qoftë edhe një provë në Irak, ose nëse një numër rrethanash çojnë në një rezolutë të dytë me anë të së cilës Kombet e Bashkuara do të autorizonin përdorimin e forcës”, thotë ai.

Zoti Wolfsthal shton se në këtë mënyrë shumë nga aleatët tonë do ta mbështesin planin e Shteteve të Bashkuara. Ai mendon se Arabia Saudite do t’i lejojë Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat e tyre, Kuvajti do të japë mbështetjen e vet dhe shumë aleatë janë të përgatitur të veprojnë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga Shtetet e Bashkuara.

Gary Schmitt dhe John Wolfsthal thonë se Shtetet e Bashkuara nuk duan të presin më pas muajit mars për të filluar ndërhyrjen ushtarake, sepse kur të vijë vera, në shkretëtirën e Irakut do të jetë shumë nxehtë për të luftuar. //kk//

XS
SM
MD
LG