Lidhje

Duke ndihmuar Afganistanin - 2003-01-22


Afganët e kanë treguar besimin e tyre në qeverinë e re të Afganistanit duke u kthyer në atdhe në numër rekord. Që pas vendosjes së qeverisë së re në dhjetor 2001, më shumë se 2 milion refugjatë janë kthyer. Shumë prej tyre kishin nevoja urgjente për ushqim. Vitin e kaluar Programi Botëror i Kombeve të Bashkuara për Ushqimin, në pjesën më të madhe përmes ndihmave të Shteteve të Bashkuara, arriti të shmangte një zi buke në Afganistan. Megjithëse mund të ketë rezerva të mjaftueshme ushqimore për të përballuar nevojat e popullit afgan gjatë dimrit, Programi Botëror për Ushqimin ka nevojë për ndihma të tjera për të përballuar nevojat e pjesës më të dobët të popullsisë pas muajit mars.

Përveç ushqimit, ka edhe nevoja të tjera. Si rrjedhojë e konfliktit të armatosur prej disa dekadash, thatësirës disa vjeçare dhe qeverisjes së keqe talebane, infrastruktura bujqësore, fizike dhe ekonomike e Afganistanit është lënë pas dore dhe është dëmtuar. Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar për rehabilitimin e sistemeve të ujit të pishëm dhe ujërave të zeza. Afganistani është gjithashtu një ndër vendet e prekura më rëndë nga minat e tokës. Për të ndihmuar për eliminimin e kësaj të keqeje, Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur specialistë për pastrimin e minave, kanë dhuruar mjete për zbulimin e minave si dhe kanë organizuar programe për njohjen me rrezikun që paraqesin minat.

Mbi 3 milion djem dhe vajza afgane u kthyen në shkollë vitin e kaluar. Shtetet e Bashkuara kanë shpërndarë 6 mijë tenda që shërbejnë si klasa të përkohshme, tekste të shumta shkollore si dhe mjete mësimore. Po ashtu vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhuruan mbi 10 milion dollarë për të rindërtuar klinika shëndetësore, për të përgatitur punonjës afganë të sistemit shëndetësor si dhe për të ofruar kujdes shëndetësor parësor, si dhe kujdes për nënën dhe fëmijën për pjesën më të dobët të popullsisë në Afganistan si dhe për ata afganë që ende ndodhen në kampe në Pakistan. Në Afganistan mbetet ende shumë për të bërë, përfshirë parandalimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Kohët e fundit Shtetet e Bashkuara dhuruan 10 milion dollarë për të forcuar Komisionin Afgan të të Drejtave të Njeriut. Siç ka thënë presidenti amerikan George Bush, Shtetet e Bashkuara “ritheksojnë angazhimin e tyre të plotë për të një ardhme të përparuar dhe të begatë për popullin afgan... Ne duam që kjo të jetë pjesë e vazhdueshme e një epoke të re shprese në Afganistan.”

XS
SM
MD
LG