Lidhje

Kalendari Historik 28 janar - 2003-01-24


Më 28 janar 1986, anija amerikane e hapësirës Challenger mori flakë menjëherë pas nisjes nga Kepi Kanaveral i shtetit Florida. Të shtatë anëtarët e ekuipazhit humbën jetën. Miliona tele-shikues, që ndiqnin nisjen drejtëpërdrejt, panë tymin e bardhë dhe ndjenë dhimbjen e tronditjen e spektatorëve në Kepin Kanaveral. Kontrollorët e misionit në tokë e njoftuan tragjedinë me qetësi në dukje. U deshën 3 minuta që anija të binte në oqeanin Atlantik, duke shkaktuar vdekjen e gjithë ekuipazhit, mes tyre edhe mësueses nga shteti New Hampshire, Christa McAuliffe, civilja e parë që fluturonte në një program amerikan të hapësirës. Disa muaj pas aksidentit të anijes Challenger, një komision i posaçëm arriti në përfundimin se ai ishte shkaktuar nga një difekt në raketën shtytëse. Shtetet e Bashkuara i rifilluan fluturimet në hapësirë pas më shumë se 2 vjetësh e gjysëm, në shtator të vitit 1988.

Më 28 janar 1916, presidenti Woodrow Wilson emëroi zotin Louis Brandeis si anëtar të gjykatës së lartë të Shteteve të Bashkuara. Zoti Brandeis, i cili do të bëhej hebraiku i parë që shërbente në gjykatën e lartë, ishte një prej avokatëve më të njohur amerikanë dhe kishte mbrojtur reformimin e sistemit ligjor të vendit. Ai njihej si Avokati i Popullit sepse shpesh e bënte falas mbrojtjen e rasteve publike. Gjatë 23 vjetëve që punoi në Gjykatën e Lartë, zoti Brandeis fitoi emrin si arkitekti më i madh juridik i kohës së tij. Ndihmesa e tij më e rëndësishme thuhet se është përcaktimi i të drejtës kushtetore të jetës private dhe zbatimi i Billit të të Drejtave. //kk//

XS
SM
MD
LG