Lidhje

Kalendari Historik 26 janar - 2003-01-24


Më 26 janar të vitit 1830, personaliteti i njohur amerikan Daniel Webster mbajti një fjalim në senatin e Shteteve të Bashkuara për të kundërshtuar idenë e nulifikimit, të propozuar nga disa shtete jugore dhe perëndimore të Amerikës. Nulifikimi ishte një teori, sipas së cilës një shtet kishte të drejtë të mos përfillte akte të caktuara të kongresit federal, kur i shihte këto akte si të dëmshëm për interesat e tij. Për shtetet perëndimore, çështja kishte të bënte me një kufizim të propozuar mbi shitjen e tokës federale. Kurse shtetet jugore kishin frikë se ligjet federale një ditë do të kufizonin ose do të ndalonin skllavërinë. Senatori Webster bëri thirrje për bashkim dhe e përfundoi fjalimin e tij me thirrje: ”Liri për Unionin, tani dhe për gjithmonë, një dhe i pandarë.”

Më 26 janar të vitit 1880 lindi në Little Rock të shtetit Arkansas Douglas MacArthur, i cili do të bëhej gjeneral i ushtrisë amerikane. I biri i një oficeri të ushtrisë, ai lindi në një bazë të ushtrisë amerikane. Ai hyri në akademinë ushtarake West Point të New Yorkut në vitin 1899. Gjatë luftës së parë botërore, Douglas MacArthur shërbeu si komandant i një brigade këmbësorie, ndërsa në luftën e dytë botërore ai u bë komandant i forcave aleate në paqësorin jug-perëndimor. Gjatë asaj lufte ai u bë i njohur për fjalët DO TË KTHEHEM PËRSËRI, kur japonezët e detyruan të largohej nga Filipinet. Pas luftës, gjenerali MacArthur ishte komandant i forcave amerikane në Japoni dhe më vonë komandant i forcave të Kombeve të Bashkuara, që luftonin kundër forcave komuniste në Kore. Ai kundërshtoi hapur politikën e presidentit të athershëm Harry Truman, në Kore dhe bëri thirrje për një qëndrim më agresiv, gjë që presidenti Truman kishte frikë se mund të shkaktonte një luftë më të gjerë. Më 11 prill 1951, presidenti e shkarkoi gjeneralin MacArthur nga posti i komandantit në Kore. Douglas MacArthur, i cili mbeti një figurë kontradiktore gjatë gjithë jetës së tij, vdiq në Washington më 5 prill 1964 në moshën 84 vjeçare. //kk//

XS
SM
MD
LG