Lidhje

Konferencë për krimin e organizuar në Ballkan - 2003-01-24


Në një diskutim të zhvilluar këto ditë në Uashington, disa ekspertë shprehën shqetësim për rritjen e krimit të organizuar në Ballkan, duke e quajtur atë industrinë më të madhe në rajon. Ata përmendën sidomos të ashtuquajturat banda shqiptare, për të cilat thanë se kontrollojnë një pjesë të mirë të trafiqeve të paligjshme në Evropë dhe veprojnë si banka për pastrimin e parave. Diskutimi u zhvillua në qendrën Woodrow Wilson në Washington.

Sipas disa statistikave, u tha në konferencë, vetëm vlera e trafikut të drogës që vjen nga Shqipëria në Evropë është 2 miliard dollarë në vit. Disa vende evropiane kanë publikuar vlerësime, sipas të cilave midis 40 dhe 90 përqind e trafikut të tyre të drogës mbizotërohet nga banda kryesisht shqiptare. Këto banda, u tha në konferencë, ndonjëherë shërbejnë si banka për pastrimin e parave të fituara në mënyrë të paligjshme.

John Markey është një nga zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit, i cili në emër të qeverisë amerikane bashkërendon programet e ndihmës për antikrimin në Ballkan.

Zoti Markey thotë se problemi i krimit të organizuar në Shqipëri është ndoshta më i rëndë se në vendet e tjera të Evropës Juglindore. Shqipëria, thotë ai, ndodhet në kryqëzimin e rrugëve tregtare dhe të kontrabandës njëkohësisht.

Ai shpjegon se ndonëse qeveria shqiptare ka ndërmarë përpjekje për t’iu kundërvënë aftësive të krimit të organizuar që ta përdorin Shqipërinë si pikënisje, si destinacion apo tranzit të krimit të organizuar, mbetet ende shumë për t’u bërë:

"Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin angazhimin e tyre ndaj Shqipërisë. Për mendimin tim organizata si ajo e Nismës kundër Trafikimit Njerëzor, në Vlorë, përbën një mundësi të madhe. Megjithatë shumë qeveri në rajon, të cilat marrin përsipër detyrën e vendit organizator të këtyre qendrave rajonale, nuk kuptojnë aspektin moral të përmbushjes së detyrimeve financiare. Për shembull rumunët, shpenzuan 4 milionë dollarë për krijimin e qendrës së antikrimit në Bukuresht. Nuk jam i bindur nëse shqiptarët janë gati të shpenzojnë shuma të tilla për të krijuar dhe vënë në funksionim qendrën e Vlorës" tha zoti Markey.

Ish gazetari i Nju Jork Tajmsit David Binder përmendi në diskutimin e tij të ashtuquajturat ”Banda shqiptare”, të cilat, tha ai, trafikojnë drogën, skllavërinë e seksit, kontrabandën dhe sasi të mëdha armësh”. Kjo rritje, tha zoti Binder, ka shkaktuar alarm tek Interpoli dhe tek zyrtarët e agjencive amerikane të antikrimit.

Zoti Binder foli gjithashtu për çështjen e vrasjeve në Kosovë ”midis shqiptarëve”, siç e cilësoi ai. Ai përmendi veçanërisht vrasjen e Tahir Zemajt para disa javësh:

"Ngjarje të tilla po ndodhin çdo muaj, pra rastet kur shqiptarët vrasin dhe plagosin njëri-tjetrin. Këto janë rivalitete midis grupeve të ndryshme që mund të kenë qenë bashkë në UÇK por që nuk janë më tani", tha zoti Binder.

Por sa dihet për krimin e organizuar në Kosovë? Zyrtari i Departamentit të Shtetit, John Markey, thotë se në këtë drejtim po bëhet përparim.

"Kemi filluar të mësojmë më shumë me ndihmën e shteteve fqinje. Fatkeqësisht, vendet si Shqipëria, Bosnja dhe të tjerë po bashkëpunojnë me individë që largohen për në Kosovë dhe më pas zhduken. Ne jemi në gjendje të krijojmë profile të personave që hyjnë në Kosovë. Por tashmë prania e zotit Steiner, dhe UNMIKut në Kosovë, ka bërë që ne të kemi mundësira më të mëdha veprimi atje" tha eksperti.

Zoti Markey tha se aktualisht po studiohet mundësia e krijimit të një programi për mbrojtjen e dëshmitarëve:

Më 2 dhjetor 2002, ekspertët u takuan në Londër në lidhje me krimin të organizuar në Ballkan. Të gjithë pjesmarrësit në takim, përfshirë ata nga Evropa Juglindore, u shprehën për krijimin e një programi të mbrojtjes së dëshmitarëve. Kam pranuar që të merrem me krijimin e një programi të tillë për Evropën Juglindore, në bashkëpunim të ngushtë me departamentin amerikan të shtetit, si dhe me institucione të tjera europiane. Ky program do të jetë i kushtueshëm, afatgjatë, dhe padyshim do të kërkojë angazhimin e qeverive për të ndihmuar në shkëmbimin e dëshmitarëve midis shteteve dhe për ti mbrojtur familjet e tyre pasi ata kanë dëshmuar kundër krimit të organizuar.

Qysh nga viti 2000, Shtetet e Bashkuara po bëhen gjithnjë e më të ndjeshme ndaj krimit të organizuar në Ballkan, ndryshe nga më parë, kur përpjekjet përqendroheshin kryesisht në Amerikën Latine dhe në Azi. Ato po përdorin miliona dollarë për kualifikimin e autoriteteve të antikrimit në vendet ballkanike.

//rd//

XS
SM
MD
LG