Lidhje

SHBA dënojnë sulmin në policinë e UNMIKut në Pejë - 2003-01-24


Qeveria e Shteteve të Bashkuara dënoi sot sulmin e natës së kaluar ndaj selisë së policisë së UNMIK-ut në Pejë.

Në një deklaratë të zyrës amerikane në Prishtinë thuhej se ky akt nuk ishte thjesht një sulm ndaj ndërtesës, por ndaj strukturave ligjore dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në deklaratë thuhet se kohët e fundit ka patur një valë sulmesh në Prishtinë dhe Pejë, si dhe njoftime për një grup të armatosur që ka kërcënuar për hakmarrje në kundërshtim të ligjit, gjë që qeveria amerikane e dënon me forcë.

Organizatorët e këtyre sulmeve, thotë zyra amerikane në Prishtinë, nuk duan një Kosovë me një shoqëri civile të rregullit, por një Kosovë ku të sundojë dhuna. Si të tillë, ata po punojnë kundër ëndrrave dhe shpresave të popullit të Kosovës që do një Kosovë ku të sundojë ligji, pa dhunë dhe që të përparojë paqësisht dhe në rrugë demokratike, nën rezolutën 1244.

Qeveria amerikane, thuhet në njoftim, i bën thirrje kujtdo që di diçka për këto sulme të bashkëpunojë me policinë dhe institucionet e drejtësisë të Kosovës, për të nxjerrë fajtorët para drejtësisë.

//rd//

XS
SM
MD
LG