Lidhje

Sekretari Powell në Davos: Iraku duhet të çarmatoset! - 2003-01-25


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, thotë se mbërrin në Forumin Botëror Ekonomik në Zvicër me mesazhin se Iraku duhet të çarmatoset, ose përndryshe të përballet me pasoja të rënda. Sekretari Powell thotë se në Forumin Botëror Ekonomik do të dëgjojë mendimet e kolegëve të tij, por edhe do të transmetojë mesazhin e vendosmërisë amerikane për çarmatimin e Irakut nga armët e shkatërrimit në masë.

Ai thotë se Iraku nuk ka vënë në dispozicion informacion për agjentë biologjikë dhe kimikë, predha kimike, programe bërthamore dhe dokumenta. “Këto përbëjnë çështje jashtëzakonisht serioze, sepse secila prej tyre është aq e fuqishme sa të vrasë mijëra e mijëra qenie njerëzore. Nuk është koha që komuniteti ndërkombëtar, Kombet e Bashkuara të tërhiqen nga përgjegjësia që morën përsipër me anë të rezolutës 1441 për çarmatimin e Irakut”.

Zoti Powell thotë se në bazë të rezolutës 1441 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Irakut i kërkohet të çarmatoset, dhe jo inspektorëve të Kombeve të Bashkuara që të përshkojnë këtë vend kryq e tërthor në kërkim për armëve të ndaluara. Ai thotë se anëtarët e Këshillit të Sigurimit u angazhuan që kjo detyrë të çohet deri në fund. “Për këtë mesazh nënshkruan të gjithë, kur votuan njëzëri për rezolutën 1441 dhe nuk mund të fillojmë të zmbrapsemi tani, për shkak të vështirësive. Irakut i takon të zbatojë rezolutën, ose përndryshe do të detyrohet ta bëjë këtë me forcë ushtarake”.

Sekretari Powell vë në dukje se Forumi i Davosit zhvillohet në prag të ngjarjeve të tjera të rëndësishme javën e ardhshme, siç është sidomos raporti i inspektorëve të OKB-së para Këshillit të Sigurimit dhe fjalimi i Presidentit Bush për gjendjen e vendit. Ai thotë se pas këtyre veprimeve, Presidenti Bush do të këshillohet me krerë shtetesh dhe qeverish të tjera për të përcaktuar marrjen e hapave të tjera të mëtejshme të përshtatshme. //az//

XS
SM
MD
LG