Lidhje

Intervistë me drejtorin rajonal të Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Christiaan Poortman - 2003-01-27


Drejtori dhe Bashkërenduesi Rajonal i Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Christiaan Poortman, i dha fund para pak ditësh detyrës së tij në këtë post për të marrë përsipër një sektor tjetër të Bankës Botërore. Në një intervistë me kolegun tonë Elez Biberaj, zoti Poortman vuri në dukje përparimet e ndjeshme që janë bërë në sektorin ekonomik në Shqipëri si dhe një numër sfidash që kërkojnë vëmendjen urgjente të autoriteteve ndër të cilat veçoi: krizën energjitike, korrupsionin dhe krimin e organizuar si dhe nevojat e ngutshme për investime:

EB: Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka arritur një stabilitet makro-ekonomik dhe një rritje të dukshme ekonomike. A janë të qëndrueshme këto arritje?

CP: Do të vija në dukje dy gjëra. Së pari, nuk vihet në diskutim se ekonomia shqiptare po zhvillohet me ritme të shpejta. Statistikat në Shqipëri nuk janë shumë të besueshme, por në përgjithësi gjatë viteve të fundit ka pasur rritje të konsiderueshme, mendoj në masën 5-6 për qind në vit, gjë që ka rritur edhe të ardhurat mesatare krahasuar me periudhën kur filloi tranzicioni. Por ky proces filloi nga një bazë shumë e ulët, pra mbetet shumë për të bërë. Gjithashtu këto arritje nuk janë ende të qëndrueshme. Vetë çështja e energjitikës me të cilën u ndeshë Shqipëria vitet e fundit, e bën të qartë se gjendja është delikate dhe se kërkohet punë më e madhe për krijimin e bazave më të shëndosha për ekonominë, si dhe tërheqjen e investimeve më të qëndrueshme për të arritur nivelet e duhura të rritjes ekonomike.

EB: Megjithë arritjet e viteve të fundit, ekziston një mospërputhje mes vlerësimeve mjaft pozitive të zyrtarëve dhe institucioneve financiare dhe realitetit të jetës së përditshme të shqiptarëve. Të ardhurat për frymë janë ndër më të ultat në Evropë, papunësia është shumë e lartë dhe gati gjysma e popullsisë jeton nën nivelin zyrtar të varfërisë. A do të thotë kjo se strategjia për pakësimin e varfërisë, e formuluar me ndihmën e Bankës Botërore nuk po zbatohet siç duhet?

CP: Strategjia për pakësimin e varfërisë dhe masat për vënien e saj në zbatim filluan vetem kohët e fundit. Kjo nuk do te thote se masat e meparshme nuk kane qene te perqendruara ne pakesimin e varferise. Mirepo, Shqipëria filloi të përqëndrohej më drejtpërdrejtë në këto politika vetem para një apo dy vjetësh. Unë kam vërejtur shenja të mira. Qeveria po u kushton rëndësi sektorëve kyç të ekonomisë te domosdoshem për të pakësuar nivelin e varfërisë, si për shembull sistemi arsimor, shëndetsor, masat për ndihma shoqërore. Por c’është me rëndësi eshte se mjedisi i përgjithshëm për investime nuk është i nivelit dhe thellësisë së duhur për të shërbyer si punëdhënës i fuqishëm që do t’i krijonte mundësi popullatës së gjerë, dhe në veçanti segementit më të varfër të shoqërisë. Në këtë drejtim janë bërë disa përmirësime fillestare, por në përgjithësi mjedisi i biznesit vazhdon të ketë vështirësi te medha. Dihen problemet e medha me te cilat perballen investuesit. Pra ka ende shumë punë për të bërë në drejtime të tjera, por vëmendja që autoritetet i kanë kushtuar këtij problemi si dhe programeve të veçanta për pakësimin e varfërisë është shpresëdhënës. Tani është e rëndësishme që procesi të vazhdojë dhe të forcohet më tej.

EB: Shqipëria ka nevoja të mëdha për investime sidomos në infrastrukturë, që mund të financohen vetëm nga burime të jashtme. Çfarë roli po luan Banka Botërore në këtë drejtim?

CP: Nevojat për investime janë shumë të madha në Shqipëri. Strategjia e re e ndihmave për 3-vjeçarin e ardhshëm që ia paraqitëm vjet Bordit të Bankës u kushton vëmendje disa prej këtyre nevojave, që nga furnizimi me energji elektrike deri te ndërtimi i rrugëve dhe sistemet ujore. Të gjithë këta sektorë do të marrin fonde të konsiderueshme nga Banka Botërore. Presim që edhe sektori privat të përballojë së paku një pjesë të këtyre investimeve. Por siç thashë më parë, nuk ka shumë investitorë privatë që kanë plane serioze angazhimi në Shqipëri. Prandaj nga institucione si Banka Botërore kërkohet të angazhohen për t’i ardhur në ndihmë vendit të instalojë këtë infrastrukturë të re dhe njëkohësisht kudo dhe kurdo që mundemi të përpiqemi të angazhojmë sektorin privat për investime.

EB: A ka ndërmarrë qeveria shqiptare hapat e nevojshme për krijimin e një klime të përshtatshme për tërheqjen e investimeve nga jashtë?

CP: Realiteti është i përzier. Aktualisht ka një angazhim më të madh në këtë drejtim. Por siç mund ta dini, kriza e rëndë energjitike që ka goditur Shqipërinë gjatë 2 viteve të fundit ishte pjesërisht rezultat i thatësirës, por edhe rrjedhojë e humbjeve të shumta të sistemit. Mungon disiplina në pagimin e faturave, janë bërë lidhje të paligjshme dhe vetë sistemi vuan nga humbje të shumta teknike. Vetë autoritetet mund të bëjnë më shumë me ato që kanë në dorë dhe të mos presin vetëm shtimin e kapacitetit gjenerues dhe ndërtimin e objekteve të reja. Pra duhet të ketë një ndërthurje të përpjekjeve në të dyja drejtimet. Banka Botërore e ka bërë të qartë se vazhdimi i ndihmës sonë në këtë drejtim varet nga angazhimi i qeverisë për të përmbushur detyrimet e saj. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, ndihmat tona mund të jenë më të dobishme gjetkë.

EB: Shqipëria nuk gëzon një imazh të mirë: qëndrueshmëria politike është e brishtë, korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë marrë përmasa të hatashme dhe elita politiko-kriminale ka krijuar struktura të fuqishme. Sa serioze janë këto probleme dhe si ndikojnë ato në jetën ekonomike të vendit?

CP: Keto jane probleme shume shqetesuese. Por ato nuk janë unike vetëm për Shqipërinë. I gjithë rajoni i Evropës Juglindore është i prekur shume rëndë nga korrupsioni, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme. Shqipëria është një hallkë në zinxhirin e vendeve të prekura nga keto probleme shume, shume serioze. Banka Botërore ia ka bërë të qartë të gjitha vendeve në rajon se pritet një punë më e mirë për të luftuar këto probleme. Kjo luftë duhet të zhvillohet në frontin rajonal, por gjithsesi edhe qeveritë e veçanta mund të bëjnë shumë në këtë drejtim. Është krejt e qartë se këto probleme ndikojnë në ritmet e zhvillimit. Studimet tona jo vetëm për Ballkanin, por në mbarë botën, tregojnë se korrupsioni ndikon mbi atmosferën e biznesit, pengon zhvillimin ekonomik, dhe ndikon proporcionalisht më tepër mbi të varfërit sesa të pasurit. Prandaj probleme të tilla minojnë drejtpërdrejtë programet që kanë për synim të ndihmojnë në uljen e nivelit të varfërisë. Problemi i korrupsionit duhet të jetë një ndër përparësitë me kryesore të punës së qeverisë. Duke lene menjeane pasojat dhe shqetesimet politike -- me qe Banka Boterore nuk merret me keto aspekte, nga pikepamja ekonomike lufta kunder korrupcionit eshte jetike. Ne kemi mbajtur dhe do te mbajme nje qendrim shume te ashper ne kete drejtim. Te gjitha qeverite, dhe jo vetem ajo e Shqiperise, duhet te ndermarrin masa serioze per te luftuar korrupcionin. Anketat e ndryshme që janë zhvilluar në Shqipëri tregojnë se çështja e korrupsionit renditet e para ose e dyta në mendjet e çdo personi në Shqipëri. Për ta zgjidhur këtë problem kërkohet një udhëheqje e fortë, një qeveri që e trajton luftën kundër korrupsionit si një ndër përparësitë kryesore të programit të saj, si dhe kërkohet ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar për të ndjekur se ku shkojnë fondet e ndihmave. Cështja e korrupcionit po ngrihet gjithnjë e më shumë dhe tani në rajon ka politikanë që vijnë në pushtet duke paraqitur një platformë lufte kundër korrupsionit.

EB: Zoti Poortman. Cilat janë disa nga çështjet kryesore që kërkojnë vëmendje të menjëhershme dhe, megjithë problemet e dukshme, a jeni optimist për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë?

CP:Jam optimist për një numër arsyesh, siç është dinamizmi i Shqipërisë dhe i popullit të saj; mendoj se diaspora dhe ndihma që ajo jep janë një shtesë e rëndësishme e investimeve brenda vendit; politikat ekonomike po përqëndrohen gjithnjë e më shumë në çështjet e duhura si varfëria; dhe afrimi me Evropën është shumë shpresëdhënës. Shqipëria tani do të futet në fazën e studimit të fizibilitetit dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët do të nënshkruajë marrëveshjen e asocim-stabilizimit. Të gjitha këto do t’i hapin Shqipërisë mundësi të reja zhvillimi. Por siç thashë ka disa probleme që duhen trajtuar pa vonesë: si furnizimi me energji elektrike, problemi i korrupsionit dhe krimit të organizuar që kërkojnë masa të forta dhe te drejtperdrejta; si dhe krijimi i kushteve të përshtatshme për investime. Të gjitha këto aspekte janë të lidhura dhe varen nga njëra-tjetra.

EB: Kohët e fundit ju ishit për vizitë në Kosovë. Sa e angazhuar është Banka Botërore në Kosovë dhe si ndikon paqartësia e statusit politik të Kosovës për projektet e Bankës Botërore atje?

CP: Mendoj se statusi përfundimtar është një çështje që kërkon zgjidhje. Kjo nuk është një deklaratë politike, por çështja e statusit është në një farë mënyre një sfidë për ne, pasi Kosova nuk është anëtare e Bankës Botërore, pra nuk mund të marrë kredi nga ne, dhe merr vetëm ndihma të kufizuara. Statusi përfundimtar ndikon gjithashtu në kushtet e përgjithshme për zhvillimin e biznesit, pasi investitorët ngurojnë të angazhohen në Kosovë. Banka Botërore do të vazhdojë ndihmat për Kosovën. Në Kosovë kemi një program që është pritur mjaft mirë si nga UNMIK-u ashtu edhe nga qeveria e Kosovës. Ne do t’i vazhdojmë këto përpjekje, por zhvillimi afat-gjatë i Kosovës kërkon ndryshimin e gjendjes aktuale.

//rd//

XS
SM
MD
LG