Lidhje

Administrata amerikane do të tregojë se Iraku zotëron armë të ndaluara - 2003-01-28


Administrata e presidentit Bush njoftoi se do të bëjë shpejt të njohur informacionet e zbulimit amerikan që tregojnë se Iraku zotëron armë të shkatërrimit në masë.

Publikimi i këtij informacioni që parashikohet të bëhet javën tjetër, është pjesë e përpjekjeve për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për një luftë të mundshme kundër Irakut.

Ndërkohë, gjenerali irakian Amir Rashid, një nga këshilltarët e lartë të presidentit irakian, Sadam Husein, tha pësëri se Iraku nuk ka armë të ndaluara dhe shtoi se faktet nuk janë pasqyrouar drejtësisht në raportin e djeshëm të kryeinspektorëve të Kombeve të Bashkuara.

Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha në një instervistë me mjetet evropiane të informimit se Shtetet e Bashkuara kanë informacione zbulimi që tregojnë se Iraku ka shkelur rezolutat e OKB-së dhe se po punojnë për të njerrë nga lista e dokumenteve sekrete disa nga këto informacione me qëllim që të publikohen nga fillimi i javës tjetër.

Zyrtarë në Washington thanë se materiali i zbulimit tregon se bashkëpunëtorë të ngushtë të presidentit irakian, Sadam Husein, kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në procesin e lëvizjes dhe fshehjes së armëve për të shmangur zbulimin e tyre nga inspektorët e OKB-së.

Kryeinspektori i OKB-së për armët, Hans Blix, i tha dje Këshillit të Sigurimit se një numër çështjesh rreth programit irakian të armëve kanë mbetur pa u zgjidhur. Mes tyre, ai përmendi vendndodhjen e arsenalit të armëve kimike.//kk//

XS
SM
MD
LG