Lidhje

Irakut i kërkohet nga vendet fqinje të bashkëpunojë me OKB-në - 2003-01-29


Kombet e Bashkuara i kanë dhanë Sadam Huseinit rastin e fundit për t’u çarmatosur. Në muajin nëntor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri një rezolutë, ku i kërkohej diaktorit irakian të paraqiste një raport të plotë e të saktë mbi programet e tij të armëve të shkatërrimit në masë.

. Kombet e Bashkuara e kanë ngarkuar Irakun me përgjegjësinë që të vërtetojë se po çarmatoset, duke u treguar inspektorëve të OKB-së se ku ndodhen armët e ndaluara. Deri tani, Sadam Huseini nuk ka bashkëpunuar.

Gjashtë nga vendet fqinje të Irakut po i bëjnë thirrje Bagdadit që të bashkëpunojë. Ministrat e Jashtëm nga Turqia, Siria, Irani, Jordani, Egjipti dhe Arabia Saudite nxorrën një deklaratë të përbashkët, në të cilën i kërkojnë Bagdadit të konfirmojë angazhimet e tij në bazë të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit dhe të ndjekë një politikë që do të ngjallë besimin e vendeve fqinje të Irakut.

Turqia, Siria, Irani, Jordania, Egjipti dhe Arabia Saudite kërkojnë të shmangin luftën duke bindur Irakun që të ndryshojë kursin. “Ne, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre vendeve, i bëjmë thirrje solemnisht udhëheqjes irakiane që të ndërmarrë hapa të pakthyeshëm e të sinqertë drejt marrjes së përgjegjësive për rivendosjen e paqes dhe të qendrueshmërisë në rajon.” Këto gjashtë vende i kërkojnë Bagdadit “të ndërmarrë hapa të vendosur drejt pajtimit kombëtar që do të ruante sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Iraku”.

“Shtetet e Bashkuara, tha Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, vazhdojnë të shpresojnë se regjimi irakian do ta ndryshojë kursin dhe të çarmatoset vullnetarisht në mënyrë paqesore. Mirëpo, zgjedhja midis luftës dhe paqes, theksoi zoti Rumsfeld, nuk do të bëhet në Washington. Ajo nuk do të bëhet as në Kombet e Bashkuara. Ky vendim do të merret në Bagdad nga Sadam Huseini. Ai do të vendosë nëse të bashkëpunojë apo jo. Objektivi ynë, theksoi sekretari i Mbrojtjes, është paqja e jo lufta. Ne shpresojmë se Sadam Huseini do të zgjedhtë me urtësi.”//xh//

XS
SM
MD
LG