Lidhje

Presidenti Bush kërkoi mbështetje për  ndërhyrje ushtarake kundër Irakut në fjalimin mbi gjendjen e vendit - 2003-01-29


Në fjalimin e tij drejtuar kongresit dhe gjithë vendit, presidenti Bush u përpoq të siguronte mbështetje në vend dhe në botë për një ndërhyrje të mundshme ushtarake kundër Irakut.

Ky ishte ndoshta fjalimi më i rëndësishëm i presidencës së tij, një fjalim mbi gjendjen e vendit që synonte ta përgatiste vendin për luftë dhe të shtonte besimin tek administrata dhe politikat e saj.

Pikë për pikë, presidenti Bush foli në hollësi rreth kërcënimit irakian dhe parashtroi qëndrimin e tij për të vepruar. Ai tha se Sadam Huseini nuk ka përfillur kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për tu çarmatosur dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi.

“Thuajse 3 muaj më parë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i dha Sadam Huseinit shansin e tij të fundit për tu çarmatosur. Në vend që të çarmatoset, ai ka treguar një përbuzje të plotë për Kombet e Bashkuara dhe për opinionin e botës.”

Presidenti tha se ekzistojnë prova të lidhjeve midis Irakut dhe terroristëve. Ai shtoi se Sadam Huseini synon të zotërojë armë të shkatërrimit në masë për të mbizotëruar, kërcënuar dhe sulmuar. Ai njoftoi se sekretari i shtetit Colin Powell do të shkojë të mërkurën e ardhshme në Kombet e Bashkuara për t'i paraqitur prova Këshillit të Sigurimit.

“Sekretari i shtetit Powell do të paraqesë informacion zbulimi rreth programeve të armëve të paligjshme të Irakut; rreth përpjekjeve irakiane për të fshehur këto armë nga inspektorët; dhe rreth lidhjeve të Irakut me grupet terroriste.”

Zoti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të këshillohen me Kombet e Bashkuara, por ai e bëri të qartë edhe një herë se në rast se Sadam Huseini nuk çarmatoset në mënyrë paqësore, ai do të çarmatoset me forcë. Në se lufta do të jetë e nevojshme, tha presidenti, ushtria amerikane me të gjithë fuqinë e saj do të hidhet në veprim dhe do të fitojë.

“Disa thonë që ne nuk duhet të veprojmë derisa rreziku të jetë real. Që kur terroristët dhe tiranët na kanë bërë të njohur qëllimet e tyre, dhe me mirësjellje na kanë paralajmëruar para se të godasin?”

Megjithëse presidenti Bush foli rreth një përgjigje të mundshme ushtarake kundër Irakut, ai theksoi se programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut dikton një strategji tjetër. Ai tha se administrata e tij po bashkëpunon me Korenë e Jugut, Japoninë, Kinën dhe Rusinë për të gjetur një zgjidhje paqësore.

Përgjigja e Partisë Demokratike ndaj fjalimit prekte shumë çështje të ngjashme me ato të ngritura nga presidenti. Ajo u lexua nga Gary Locke, guvernator i shtetit perëndimor të Uashingtonit. Guvernatori Locke tha se plani i presidentit për nxitjen e ekonomisë do të krijonte deficite të mëdha e të përhershme, dhe nuk do t'i jepte ekonomisë amerikane atë shtytje për të cilën ka nevojë. Ai shtoi gjithashtu se 2 milion vende pune janë humbur në Shtetet e Bashkuara që kur presidenti filloi nga detyra e tij.

Zoti Locke i bëri thirrje presidentit që të vazhdojë ti zgjidhë problemet botërore duke bashkëpunuar me vendet e tjera.

“Sot në vitin 2003, ne kemi nevojë për aleatët tanë, po aq saç kishim nevojë për ta në operacionin ”Stuhia e Shkretëtirës”, apo në ditën e zbarkimit të aleatëve në vitin 1944, kur ushtarët amerikanë, përfshirë babain tim, luftuan që të zhduknin kërcënimin nazist.”

Guvernatori Locke tha se administrata e presidentit Bush nuk duhet të harrojë se Shtetet e Bashkaura janë shumë më të forta kur qëndrojnë krah shteteve të tjera, se sa kur janë të vetme.

//rd//

XS
SM
MD
LG