Lidhje

Iraku po gënjen - 2003-01-29


Një vend që çarmatoset vullnetarisht, nuk përbën ndonjë mister të madh. Afrika e Jugut e shkatërroi programin e saj bërthamor dhe u dha liri të plotë inspektimi ekspertëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike. Ukraina dhe Kazakistani bënë të njëjtën gjë. Të dyja këto vende hoqën dorë vetë nga armët bërthamore, raketat ndërkontinentale balistike dhe avionët bombardues të trashëguar nga ish-Bashkimi Sovjetik.

“Qëndrimi i Irakut është krejt i ndryshëm”, shkruan këshilltarja për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Condoleeza Rice në një koment në gazetën New York Times. “Në vend që të ndërmarrë një angazhim për t’u çarmatosur, Iraku i ka hyrë një angazhimi politik të nivelit të lartë për të ruajtuar dhe fshehur armët e veta, nën drejtimin e Saddam Husseinit dhe djalit të tij Qusay, që ka nën kontroll Organizatën për Siguri të Posaçme, e cila drejton procesin e fshehjes”.

Në vend që të bashkëpunonte me Kombet e Bashkuara, Iraku paraqiti një deklaratë të rreme. Në Deklaratën e Irakut nuk përmenden përpjekjet e Bagdadit për të importuar uranium, i cili mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore. Në deklaratë gjithashtu nuk përmendet prodhimi i karburantit për raketa balistike dhe as fakti që Iraku importoi dy tonë material të papërpunuar për të prodhuar mijëra litra antraks dhe armë të tjera biologjike.

Siç shprehet këshilltarja për sigurinë kombëtare, Rice “Deklarata nuk kishte synimin të informonte, por të mjegullonte të vërtetën për arsenalin e Irakut. Ky është pasqyrim i emrit që ka fituar Iraku si një vend mashtrues dhe përbën një shkelje të Rezolutës 1441 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në bazë të së cilit u ngrit programi i inspektimeve”.

Bagdadi vazhdon të mos e zbatojë atë, duke mos lejuar hyrjen e menjëherëshme, pa pengesa dhe pa kufizime në objektet e armëve dhe kontaktin e inspektorëve me shkencëtarët. “Duke patur parasysh dyshimet e kaluara për regjimin, tha zonja Rice, premtimet e tij të fundit për të vepruar më mirë, mund të shihen vetëm si një përpjekje për të fituar kohë”.

Shumë pyetje për armët e shkatërrimit në masë të Irakut, mbeten ende pa përgjigje. Iraku është i detyruar të japë përgjigje. Por siç u shpreh këshilltarja amerikane për sigurinë kombëtare, Rice “Si nga veprimet, ashtu edhe nga mungesa e tyre, Iraku po tregon se nuk është një vend që synon çarmatimin, por një vend që do të fshehë diçka. Iraku ende po luan me inspektimet. Ai duhet ta dijë që koha nuk pret më”.//kk//

XS
SM
MD
LG