Lidhje

President Moisiu: Shqipëria e gatëshme të mbështesë SHBA me çdo mënyrë. - 2003-01-29


Javën e kaluar u mbushën 6 muaj me ardhjen në fuqi të Presidentit të Shqipërisë Alfred Moisiu. Ai është presidenti i parë që vjen në pushtet si rezultat i një kompromisi politik midis dy forcave politike të vendit. Zgjedhja e zotit Moisiu në këtë u shoqërua me shpresa se Shqipëria po largohej nga politika konfrontuese dhe po ecte drejt zhvillimeve normale politike. Por sa janë përmbushur sot pas 6 muajsh këto shpresa?

Zëri i Amerikës: Zoti President, para se të merremi me zhvillimet e brendshme në Shqipëri, një pyetje në lidhje me qëndrimin e Shqipërisë lidhur me çështjen e Irakut. Ambasadori Amerikan në Tiranë kërkoi sot që Shqipëria të mbështesë rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Irakun si dhe pasojat në rast se Iraku nuk bindet. A gëzojnë SHBA mbështetjen e plotë të Shqipërisë në rast të një lufte të mundshme me Irakun?

Presidenti Moisiu: Që në New Jork në muajin shtator në takimin me Presidentin Bush dhe me Zv/sekretarin e shtetit Grossman, unë kam deklaruar qëndrimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar për mbështetje të rezolutës së Këshillit të Sigurimit dhe në të gjitha veprimet që SHBA do t’i quajë të arsyeshme kundër vatrave të mundshme të terrorizmit, siç është Iraku. Pra, Shqipëria mbetet e vendosur në atë që ka thënë dhe është e gatshme të mbështesë SHBA-në në çdo mënyrë.

Zëri i Amerikës: Zoti Moisiu, para se të bëheshit President ju personalisht nuk keni qenë i lidhur me ndonjë parti ose grupim politik dhe shumë analist para 6 muajsh besonin se në ndonjëfarë mënyre ju do të kontrolloheshit nga dy figurat kryesore politike të vendit. Sa keni arritur gjatë këtyre 6 muajve të ndiqni një kurs të pavarur dhe të realizoni konceptin tuaj të shtetit?

Presidenti Moisiu: Eshtë e vërtetë që unë jam zgjedhur President i Republikës si rezultat i një kompromisi midis forcave politike. Por, unë që në fillim të mandatit tim e kam bërë të qartë që do të jem një president mbi partitë politike, gjë që do të thotë president i të gjithë shqiptarëve ashtu siç e përcakton dhe Kushtetuta e Shqipërisë. Gjatë këtyre muajve besoj se si qytetarët shqiptarë ashtu dhe miqtë tanë i kanë parë përpjekjet e mia për të zgjidhur problemet kryesore nëpërmjet frymës së dialogut midis forcave politike dhe për të arritur një zgjidhje sa më të drejtë, sa më të pranueshme dhe sa më të shpejtë. Gjatë këtyre muajve unë kam pasur kontakte të vazhdueshme me gjithë partitë parlamentare dhe kam organizuar disa tryeza të përbashkëta me përfaqësuesit e tyre. Gjatë këtyre tryezave unë kam kërkuar që për problemet, të cilat kanë rëndësi për zhvillimin e vendit, të vendosen mbi interesat partiake. Pra, interesi kombëtar të vendoset mbi interesin partiak. Ndaj gjykoj se në këtë drejtim kemi pasur arritje. Sigurisht që kjo arritje përbën një bazë të mirë për të vazhduar më tej bashkëpunimin midis forcave politike. Dua të them se në këtë mënyrë u arrit të qetësohet fryma politike dhe tek qytetarët tanë është rritur besimi se Shqipëria po ecën më mirë për të arritur objektivat e saj për ndërtimin e një demokracie të vërtetë. Duhet thënë se disa herë ka keqtrajtime dhe keqkuptime, sepse me ndezjen e një lufte politike për probleme të caktuara mendohet sikur në Shqipëri u kthyem prapa atje ku ishim. Unë mendoj që kjo nuk është e vërtetë, pasi lufta politike midis mazhorancës dhe opozitës do të jetë, ndryshe nuk ka kuptim demokracie pluraliste në asnjë vend, jo vetëm tek ne.

Zëri i Amerikës: Zoti President, disa nga shqetësimet e shpeshta që ngrihen për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, dhe që u përmendën edhe sot (29 janar) nga ambasadori amerikan në Tiranë janë korrupsioni, krimi i organizuar, lidhja e politikanëve me grupet e krimit, niveli i lartë i trafiqeve dhe mungesa e shteti ligjor në përgjithësi. A është në gjendje Shqipëria t’i zgjidhë këto probleme në të ardhmen e afërt dhe të ketë një mirëqeverisje?

Presidenti Moisiu: Problemet që ju përmendet nuk janë të lehta, sigurisht janë të njohura si për ne edhe për miqtë tanë dhe na janë vënë në dukje disa herë në mënyrë të vazhdueshme dhe patjetër që ato mbeten një detyrë kryesore e hallkave në të gjitha strukturat e shtetit shqiptar dhe në angazhimin tim si Presidentit i Republikës. Dihet që si krimi dhe korrupsionit nuk vijnë në një ditë dhe janë probleme që ato nuk mund të zhduken me frymën e shentë, si i thonë një fjale, por edhe në këtë fushë unë them se kemi pasur arritje, sidomos përpjekjet dhe lufta e qeverisë kundër trafikut klandestin. Por, për të pasur një rezultat më të mirë, unë jam i vendosur që të vazhdoj luftën kundër të gjithë personave të implikuar në krim dhe korrupsion qofshin këta qytetarë të thjeshtë, apo zyrtarë të lartë qeveritarë. Zbatimi i ligjit është një detyrim për të gjithë. Unë mendoj se një nxitje dhe mbështetje morale të madhe për mua dhe qeverinë dhe kryeministrit Nano është dhe letra që Presidenti Bush më ka dërguar kohët e fundit mua, i cili me dashamirësi na sugjeron të luftojmë bashkarisht dhe korrupsionin. Unë mendoj se do t’ia arrihet kësaja, pavarësisht nga vështirësitë që dalin.

Zëri i Amerikës: Zoti Moisiu, një nga hallkat kryesore në luftën kundër korrupsionit konsiderohet drejtësia. Si mund të luftohet korrupsioni dhe të reformohet drejtësia pa cënuar në të njëjtën kohë pavarësinë e juridikut nga ekzekutivi dhe nga parlamenti?

Presidenti Moisiu: Ky është një problem që meriton vëmendje, sepse detyra e çdo institucioni kushtetues është të respektojë ligjin dhe ndarjen e pushteteve, por në të njëjtën kohë këto pushtete kanë edhe mënyrën se si do të bashkëveprojnë me njëri-tjetrin dhe do të bashkëpunojmë patjetër, veçanërisht për të kryer detyra të tilla, veçanërisht siç është lufta kundër trafikut, kundër korrupsionit dhe kundër krimit. Por, zbatimi praktik i kësaj kërkese kushtetuese do të thoja se ka një rëndësi themelore për fuqizimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës. Në këtë drejtim unë si President i Republikës kam një përgjegjësi të veçantë si kryetar i KLD dhe po synojmë që në këtë kuadër të ndërtojmë dhe të zbatojmë një strategji të caktuar në tre drejtime kryesore. Në rradhë të parë, të shikojmë se çfarë mund të bëhet në aspektin ligjor, çfarë ligjesh duhen rregulluar dhe përshtatur kushteve të reja dhe çfarë ligjesh na mungojnë. E dyta, të shikojmë problemin nga ana strukturore, organizative, domethënë çfarë përmirësimesh duhet të bëjmë në strukturën e gjyqësorit, çfarë strukturash të reja duhen ngritur, siç është përshembull gjykata e krimeve të rënda. Njëkohësisht, drejtimi i tretë është rritja e përgjegjshmërisë tek gjyqtarët duke qenë më kërkues ndaj veprimeve të tyre, sigurisht për ata që futen në korrupsion, sepse nuk mund të pretendohet që gjithë gjyqësori shqiptar është i korruptuar.

Kjo nuk është e vërtetë se ka shumë gjyqtarë që punojnë me ndershmëri dhe korrektësi dhe duke vënë veten në rrezik, por në të njëjtën kohë ne gjykojmë se ka gjithashtu edhe njerëz që nuk e meritojnë titullin e nderuar të gjyqtarit. Pra, nga kjo anë KLD është i vendosur që ndaj këtyre njerëzve të mbajë një qëndrim tepër rigoroz. Njëkohësisht është menduar që, po në këtë drejtim, të përsoset si të thuash përgatitja profesionale e gjyqtarëve në mënyrë të atillë që çdo kërkesë ligjore kushtetuese të zbatohet sipas rregullave që duhet.

Zëri i Amerikës: Zoti President, problemi i ligjit të pronave në Shqipëri është një nga çështjet më delikate dhe që kërkon zgjidhje të shpejtë, siç e keni theksuar edhe Ju. Si e vlerësoni projektin e paraqitur nga qeveria për çështjen e pronave?

Presidenti Moisiu: Ky është një problem të cilit unë i kam kushtuar rëndësi që në muajin e parë të zgjedhjes sime ku unë u ndesha me këtë problem në bregdet dhe pashë në praktikë, pata një takim me qytetarët shqiptarë që ky problem është shqetësues jo vetëm se nuk janë qetësuar njerëzit por pengon zhvillimin e vendit tonë. Që prej asaj kohe unë jam marrë me këtë punë, qoftë në biseda të ndryshme si me qeveritarë ashtu edhe me forca të opozitës dhe më në fund arritëm në një konkluzion që duhet bërë një takim i përbashkët. Sikurse jeni në dijeni më datën 18 dhjetor ne organizuam një tryezë të rrumbullakët të të gjitha partive parlamentare. Pavarësisht nga debatet, nga mendimet e ndryshme arritëm në një konkluzion që duhet të shkojmë përpara për hartimin e një ligji të gjithëpranueshëm. Projekligjin e ka bërë qeveria, sigurisht mund të ketë dhe ka të metat e veta, por nuk është në mënyrë definitive ligji që do të miratohet përfundimisht. Eshtë një projektligj që do t’i nënshtrohet diskutimit qoftë në rrugë parlamentare, qoftë me shoqatat e ndryshme që janë për mbrojtjen e pronësisë, po ashtu edhe nga OJQ që janë të interesuara për këtë problem. Unë mendoj që ky ligj do të ketë rrugën e tij dhe deri në 15 shkurt kur ne kemi përcaktuar një afat të përafërt për përfundimin e tij, unë mendoj se koha është e mjaftueshme që të bëhen këto gjëra. Por, n.q.s. do të duhet që të kërkojë një tjetër kohë, patjetër nuk ka pse të nxitohemi. E rëndësishme është që kjo rrugë ka hyrë në zgjidhje. Edhe sot partitë politike opozitare kanë pasur një tryezë për këtë problem. Pra, interesimi është i madh, është serioz dhe të gjithë janë të vendosur përfundimisht si mazhoranca ashtu dhe opozita që këtë punë ta zgjidhim. Dhe unë mendoj se ashtu siç kërkojnë rregullat e demokracisë duke përplasur mendimet ne do të gjejmë mesataren e pranueshme. Unë desha të shtoj këtu, s’ka ligj në botë që të plotësojë 100% të gjitha kërkesat. Sigurisht ne do të përpiqemi që të kënaqim maksimumin e këtyre kërkesave. E rëndësishme është ajo që unë thashë në fillim, që njerëzit të qetësohen, prona të shkojë tek i zoti ose duhet të kompesohet për pronën që ka pasur. Llojet e kompesimit janë parashikuar në ligj dhe unë mendoj se janë të pranueshme.

Zëri i Amerikës: Zoti President, të premten në Tiranë fillojnë bisedimet me Presidentin e Komisionit Europian Prodi për procesin e asociimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Sa e përgatitur është pala shqiptare për këto bisedime dhe për të përmbushur kushtet e caktuara nga BE?

Presidenti Moisiu: Ky është një problem që e ka shqetësuar shtetin dhe qeverinë shqiptare prej kohësh, por unë po flas për periudhën kur unë jam në krye të shtetit shqiptar. Në takimet që kam kryer duke filluar nga ato në New Jork dhe më vonë si unë, kryeministri Nano, ashtu dhe ministrat përkatës, Ministri i Jashtëm, Ministri i Integrimit dhe krerët e opozitës, që të gjithë jemi të interesuar që Shqipëria të plotësojë sa më mirë dhe në kohë kushtet që duhen për këtë punë. Sigurisht janë bërë arritje, por ka akoma dhe mangësi me të cilat qeveria po merret, mendoj unë, seriozisht, dhe unë gjithashtu jam duke i ndjekur me kujdeshap pas hapi këto probleme. Unë pres veçanërisht në drejtim të emërimit e ç’emërimeve të kemi arritje pozitive, në rradhë të parë duke pasur kritere sa më të studiuara për kuadro kryesore si dhe për një forcim të detyrueshëm të administratës publike. Disa nga vështirësitë unë i ngrita në mesazhin tim para parlamentit, të cilat mund të them se u mirëpritën dhe unë mendoj se do të shohim reagimet e duhura pozitive nga organet përkatëse.

//rd//

XS
SM
MD
LG