Lidhje

Tetë vende evropiane mbështesin përpjekjet amerikane për çarmatimin e Irakut - 2003-01-30


Tetë udhëheqës evropianë bënë një deklaratë ku shprehin mbështetje të fortë ndaj përpjekjeve të Presidentit Bush për çarmatimin e Irakut. Kjo letër shihet njëkohësisht si një sfidim ndaj Francës dhe Gjermanisë, të cilat e kanë kritikuar politikën e Shteteve të Bashkuara për Irakun.

Tetë udhëheqësit e bënë deklaratën e tyre për Irakun në një letër të hapur botuar të enjten në gazetat kryesore evropiane dhe amerikane.

Letra bën thirrje për unitet ndërkombëtar në fushatën e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara për çarmatimin e Irakut dhe thekson vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe lirisë që kanë Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Në letër nuk bëhet fjalë për një veprim ushtarak kundër Irakut.

Letra është nënshkruar nga udhëheqësit e Britanisë, Republikës Çeke, Danimarkës, Hungarisë, Italisë, Polonisë, Portugalisë dhe Spanjës.

Një zëdhënës i kryeministrit britanik, Tony Blair, thotë se Francës dhe Gjermanisë nuk iu kërkua ta nënshkruajnë letrën. Franca dhe Gjermania kanë mbajtur qendrim kritik lidhur me politikën e ashpër amerikane ndaj presidentit irakian Saddam Hussein dhe kanë kërkuar që inspektimeve të OKB-së në Irak t’u jepet më shumë kohë.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld e ka kritikuar qendrimin e Francës dhe Gjermanisë duke thënë se ky përfaqëson Evropën e vjetër, sipas fjalëve të tij.

Gustavo de Aristegui, zëdhënës i partisë popullore të Spanjës, partia në fuqi, i tha radios britanike se vendi i tij shpreson që deklarata të ndihmojë në sheshimin e keqkuptimeve midis të dy anëve të Atlantikut.

”Ne po shikojmë me shumë shqetësim se si disa analistë në Shtetet e Bashkuara mendojnë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po ecin në mënyrë të pashmangëshme në drejtime të ndryshme. Ne mendojmë se kemi interesa të përbashkëta dhe se 11 shtatori e ka bërë temën transatlantike edhe më të rëndësishme. Ndoshta, disa analistë dhe politikanë evropianë nuk e kishin kuptuar këtë deri tani, u shpreh zoti Aristegui”, tha ai. Letra u botua ndërkohë që kryeministri britanik Tony Blair vazhdon diplomacinë intensive në të dy anët e Atlantikut lidhur me çështjen irakiane.

Të mërkurën, ai u takua në Londër me kryeministrin e Italisë Silvio Berlusconi. Të enjten zoti Blair do të ndalej në Madrid për bisedime me kryeministrin spanjoll Jose Maria Aznar, para se të drejtohej për në Shtetet e Bashkuara.

Nesër, Zoti Blair do të diskutojë mbi Irakun me Presidentin Bush në vendpushimin presidencial Camp David të Shtetit Maryland, ndërsa të martën do të takohet me presidentin francez Zhak Shirak.

XS
SM
MD
LG