Lidhje

NASA: të paktën tre ekipe do të bëjnë hetime rreth katastrofës së anijes Columbia - 2003-02-02


Temperatura në krahun e majtë të anijes Kolumbia pësoi një ngritje të pashpjeguar dhe anija filloi të anojë majtas vetëm disa minuta para se ajo çahej në hapësirë mbi Teksas duke shkaktuar vdekjen e të 7 astronautëve në bord.

Drejtori i fluturimeve të Nasës Ron Dittemore thotë se sistemi i kontrollit të anijes reagoi normalisht duke e rrotulluar atë djathtas për të kompensuar balancën e humbur.

Një nga shkaqet që po hetojnë ekspertët është mundësia e dëmtimit të pllakave refraktare mbrojtëse gjatë lëshimit të anijes. Por zoti Dittemore thotë se dëmi që iu shkaktua këtyre pllakave gjatë lëshimit ishte pa pasoja. Veç pllakave, thotë ai, ekspertët po hetojnë treguesit termalë, të dhënat e fluturimit dhe vetë strukturën e anijes. Qeveria amerikane po fillon edhe dy hetime të tjera paralele krahas hetimeve që po kryen Nasa.

Të dhënat nga qendra e kontrollit të fluturimit të anijes Kolumbia tregojnë se në momentin që anija u ça në hapësirë mbi Teksas, temperatura në rrotën e majtë të uljes u ngrit përnjëherë 20-30 gradë Farenheit. Temperatura në pjesën e majtë të anijes u ngrit me 60 gradë. Ndërsa temperatura në pjesën e djathtë të anijes u ngrit vetëm 15 gradë, ashtu siç parashikohej.

Në të njejtën kohë, shtimi i forcës së fërkimit në pjesën e majtë e bëri anijen të anonte majtas, duke detyruar sistemin automatik të kontrollit ta kthente anijen në drejtim të kundërt për ta stabilizuar.

Drejtori i fluturimeve të anijeve të hapësirës Ron Dittemore thotë se këto të dhëna përkojnë me humbjen ose dëmtimin e pllakave termale që e mbrojnë anijen nga nxehtësia e lartë që çlirohet kur ajo hyn në kontakt gjatë kthimit me atmosferen e tokës. Megjithatë ai thekson se është ende tepër herët për të përcaktuar shkakun e tragjedisë.

“Ajo që po përpiqem të bëj është të bashkoj së bashku pjesët e njohura të një të panjohure dhe të kuptoj ndikimin e tyre. Por ende nuk kam një përgjigje për shkakun”, tha zoti Dittemore.

Pllakat refraktare mbrojtëse të krahut të majtë të anijes shkaktuan shqetësim që ditën e nisjes. Gjatë lëshimit të anijes, këto pllaka u goditën nga disa copa izoluese që u shkëputën nga shtresa e jashtme e sondës mbi të cilën ishte vendosur anija për t’u ngritur në orbitë. Zoti Dittemore thotë se nga analiza e parë inxhinierike u arrit në përfundimin se copat e shkëputura nuk do të kishin ndonjë ndikim mbi misionin. Por drejtori i Nasës Sean O’Keefe, thotë se hetuesit po analizojnë këtë faktor si dhe një sërë të tjerësh si shkaqe të mundshme të dështimit të anijes. “Asgjë nuk po përjashtojmë në këtë fazë të hetimeve dhe po ashtu nuk po përqëndrohemi në një teori të vetme. Po analizojmë çdo shkak të mundshëm që mund të ketë ndikuar”, thotë zoti O'Keefe.

Ndërsa ekspertët e Nasës po vazhdojnë hetimet nga ana e tyre, zoti O’Keefe, emëroi admiralin Harold Gehman, për të bërë hetime paralele të pavarura. Admirali Gehman ishte kryetari i grupit hetimor të sulmit terrorist të tetorit të vitit 2000 kundër një destrojeri amerikan në Gjirin e Omanit. (ax)

XS
SM
MD
LG