Lidhje

Regjimi më i rrezikshëm kriminal në botë është ai i Sadam Huseinit - 2003-02-03


Rreziku më i madh për Amerikën dhe për mbarë botën, tha presidenti Bush në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, “janë regjimet kriminale, që kërkojnë dhe zotërojnë armë bërthamore, kimike dhe biologjike. Këto regjime mund t’i përdorin këto armë për shantazh, terror dhe vrasje në masë. Ato po ashtu mund t’ua japin ose shesin këto armë aleatëve të tyre terroristë, që do t’i përdornin ato pa ngurrimin më të vogël”.

Regjimi më i rrezikshëm kriminal është ai i Sadam Huseinit në Irak. Rreth 10 vjet më parë Sadam Huseini ra dakord të asgjësonte të gjitha armët e shkatërrimit në masë. Por siç e kanë bërë të qartë inspektimet e armëve nga ana e OKB-së, theksoi presidenti Bush, “Diktatori irakian nuk është duke u çarmatosur, ai po e mashtron botën.”

Para se të detyroheshin të iknin nga Iraku më 1998, inspektorët e Kombeve të Bashkuara zbuluan prova që regjimi i Sadam Huseinit kishte mjete për të prodhuar mijëra litra antraks dhe botulinë, sasi e mjaftueshme helmesh për të shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve. Sipas vlerësimeve të mëtejshme Iraku ka pasur qindra tonë kimikate të tjera si gaze helmuese zarin, mustard dhe VX si dhe rreth 30 mijë pjesë municioni për lëshimin e tyre. Inspektorët e Kombeve të Bashkuara tani janë kthyer në Irak. Por regjimi i Sadam Huseinit nuk u ka dhënë atyre të gjitha provat e kërkuara që do të tregonin se këto armë janë shkatërruar. Po ashtu ka pasur njoftime se Iraku vazhdon përpjekjet për të prodhuar armë bërthamore.

Për më tepër, siç theksoi presidenti Bush, prova nga shumë burime tregojnë se Sadam Huseini ndihmon dhe mbron terroristë, përfshirë edhe anëtarë të grupit al-Qaida. Fshehurazi dhe pa lënë gjurmë ai mund t’u japë një nga armët e tij të fshehura terroristëve, ose t’i ndihmojë ata që t’i prodhojnë ato vetë.

Duke iu referuar sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, presidenti Bush tha: “Përfytyroni ata 19 rrëmbyes të aeroplanëve me armë të tjera dhe plane të tjera, kësaj radhe të armatosur nga Sadam Huseini. Sikur terroristët të lëshonin një ampulë apo një bombë me agjentë kimikë ose virusë vdekjeprurës në truallin e Shteteve të Bashkuara, tha presidenti Bush, kjo mund të sillte ditë tmerresh të papara deri më sot. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme, vazhdoi zoti Bush, që kjo ditë të mos vijë kurrë”.

Shtetet e Bashkuara sikurse edhe komuniteti ndërkombëtar, vazhdojnë të shpresojnë se Iraku do të veprojë vetë me shpejtësi për të asgjësuar të gjitha armët e shkatërrimit në masë. “Por le të mos ketë asnjë iluzion, theksoi presidenti Bush, “në se Sadam Huseini nuk çarmatoset plotësisht, për hir të sigurisë së popullit tonë dhe të paqes në botë, ne do të udhëheqim një koalicion për ta çarmatosur atë”. (ax)

XS
SM
MD
LG