Lidhje

Kalendari Historik 4 shkurt - 2003-02-03


Më 4 shkurt të vitit 1631 mbërriti në Massachusetts, Roger Williams, personi që ndihmoi në krijimin e traditës së lirisë fetare dhe ndarjes së kishës nga shteti në Amerikë. Ai erdhi në Amerikë nga Anglia pasi besonte se Kisha anglikane e Anglisë ishte tepër e ngurtë ndërsa këtu në Amerikë ai dhe besimtarët e tjerë mund ta ushtronin besimin e tyre ashtu siç e shikonin ata më të përshtatshme. Në vitin 1636 doktrinarët e rreptë puritanë të Massachusetts, e dëbuan Williamsin dhe pasuesit e tij nga kolonitë pasi ata kishin refuzuar të respektonin praktikën e tyre. Ai dhe disa nga përkrahësit e tij shkuan më në jug ku hodhën themelet e shtetit të sotëm Rhode Island, që u bë i njohur për tolerancën e tij fetare. Historiani Glenn LaFantasie thotë se Rhode Island u themelua mbi bazën e parimit të lirisë së ndërgjegjes si dhe në bindjen e patundur të Roger Williams-it për ndarjen e kishës nga autoriteti qeveritar.

“Për atë kohë, kjo ishte një ide tepër radikale. Për të gjithë ekspertët politikë të kohës konsiderohej pa kuptim ndërtimi i një komuniteti dhe më në fund i një vendi bazuar në këtë ide, pasi ajo nuk ishte bërë kurrë më parë,” thotë historiani Glenn LaFantasie. Më 4 shkurt të vitit 1861, delegatë nga gjashtë shtete të jugut që ishin shkëputur nga Shtetet e Bashkuara filluan takimet e tyre në Montgomery të Alabamës për të krijuar Konfederatën e Shteteve Amerikane. Qëllimi i tyre ishte të themelonin një republikë të re në bazë të parimit të së drejtës së shteteve dhe lirisë individuale, që donte të thoshte ruajtja e të drejtës së skllavërisë pa ndërhyrje. Historiani, James Smallwood, thotë se delagatëve iu deshën katër ditë për të shkruar një statut që ishte tepër i ngjashëm me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, por me tri ndryshime të rëndësishme.

“Dokumenti i Konfederatës shprehej qartë në favor të sovranitetit të shteteve. Në të përfshiheshin klauzola për ruajtjen e skllavërisë dhe heqja e saj bëhej praktikisht e pamundur,” thotë historiani Smallwood.

Kushtetuta e shteteve të konfederatës kufizonte gjithashtu edhe mandatin e presidentit në gjashtë vjet. //ad//

XS
SM
MD
LG