Lidhje

Sek. i Shtetit  Powell ka fakte të reja që provojnë se Iraku nuk po çarmatoset. - 2003-02-04


Zyrtarët amerikanë thonë se Sekretari i Shtetit Colin Powell ka fakte të mëtejshme që provojnë se Iraku nuk po çarmatoset. Zyrtarët thonë se Sekretari i Shtetit do të bëjë publike fotografi të siguruara nga agjensitë e zbulimit si dhe tekstet e disa bisedave të përgjuara. Materialet do të bëhen të ditura të mërkurën gjatë një takimi në Këshillin e Sigurimit.

Zyrtarët thonë se sekretari Powell është ende duke shqyrtuar materialet e agjencive të zbulimit për të zgjedhur pjesët që ai do të bëjë publike të mërkurën gjatë një takimi të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Por zëdhënësi i tij Richard Boucher, tha se informacioni që do të jepet, do ta bëjë të qartë për këdo “që është i hapur ta gjykojë atë objektivisht”, se Iraku nuk po e zbaton rezolutën 14-41 të OKB-së.

“Iraku nuk po bashkëpunon. Iraku i fsheh të dhënat. Iraku po përpiqet ta ruajë programin e armëve të shkatërrimit në masë. Informacioni që do të japë sekretari i shtetit do ta bëjë të qartë, me fakte, këtë gjë”, tha zëdhënësi Boucher.

Në një shkrim të botuar të hënën në gazetën Wall Street Journal, zoti Powell theksonte se ai nuk ka, atë që prokurorët e quajnë “arma që nxjerr ende tym”, pra “provën e pakundërshtueshme të një krimi”, por siç shprehet ai, informacioni i tij do të jetë bindës dhe do të provojë kundërshtimin e Irakut ndaj procesit të inspektimeve.

Sekretari Powell thotë se Shtetet e Bashkuara ende kërkojnë një çarmatim me mjete paqësore, por “nuk do të tërhiqen nga rruga e luftës”, në se ajo mbetet mjeti i vetëm për t’i hequr Irakut armët e shkatërrimit në masë.(ax)

XS
SM
MD
LG