Lidhje

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës do të vazhdojë punën - 2003-02-04


Shtetet e Bashkluara dhe Rusia u zotuan që Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës ta vazhdojë punën, megjithë pezullimin e përkohshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara të fluturimeve për vajtje-ardhje në hapësirë, pas tragjedisë së anijes Columbia. Një ndër argumentet fillestare në favor të anijeve amerikane për vajtje-ardhje në hapësirë në vitet 1960 dhe 1970 ishte ideja e përdorimit të tyre për shërbimet dhe mirëmbajtjen e një stacioni të hapësirës. Por vetëm nga mesi i viteve 1990, pra gati një dekadë e gjysmë pas fluturimit të parë të një anijeje për vajtje-ardhje në hapësirë, këto të fundit e bënë realitet një vizion të tillë. Anijet për vajtje-ardhje në hapësirë filluan të vizitojnë Stacionin rus të hapësirës, Mir dhe kanë qenë mbështetja kryesore për ndërtimin e Stacionit të tanishëm Ndërkombëtar të Hapësirës.

Por tani që tre anijet e tjera amerikane për vajtje-ardhje në hapësirë janë bllokuar në Tokë pas shkatërrimit të Kolumbias, shtrohet pyetja se si do t’i kryhen shërbimet stacionit, si do të ndërrohet ekuipazhi i tij dhe si do të mirëmbahet ai. Zyrtari i Nasës, Michael Kostelnik, i cili mbikëqyr programet e anijeve për vajtje-ardhje në hapësirë dhe të stacionit të hapësirës, thotë:

“Ju mund të na besoni se jemi në prapaskenë duke pritur me padurim rastin që të fillojmë të mendojmë në se dhe kur do të jemi gati për të rifilluar, që t’u rikthehemi fluturimeve në kohën e duhur për të mbështetur Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.”

Zoti Kostelnik thotë se në vështrimin afatshkurtër nuk ka ndonjë problem. Në saje të një anijeje ruse ngarkesash, e planifikuar paraprakisht dhe që u nis të dielën, dy astronautët amerikanë dhe një kozmonaut rus në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, do të kenë furnizime deri nga fundi i qershorit. Ata duhet të zëvendësosheshin me një ekuipazh tjetër gjatë vizitës së një anijeje për vajtje-ardhje në hapësirë në muajin mars, por zyrtari i Nasës, Kostelnik, thotë se ata do të rrinë në stacion më gjatë.

“ Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës është mjaft i sigurt në këto çaste. Është e qartë se do t’i bëhen disa pyetje anëtarëve të ekuipazhit, sepse do të na duhet ta zgjasim kohën e qendrimit të tyre në orbitë.”

Në fakt zyrtarë të Nasës thonë se ekuipazhi i stacionit është treguar i gatshëm të qendrojë në orbitë përsa kohë që të jetë e nevojshme, ndërsa vazhdojnë hetimet rreth Kolumbias. Por agjencia e hapësirës parapëlqen të mos i mbajë atronautët në gjendjen e mungesës së peshës për më shumë se 6 muaj, për shkak se kjo do të çonte në dobësim të kockave dhe të muskujve.

Në se ndërprerja e fluturimeve për vajtje-ardhje në hapësirë do të zgjasë shumë, një mjet për shkëmbimin e ekuipazhit të Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, do të ishte anija ruse e hapësirës Soyuz, e cila është përdorur për të çuar dhe kthyer nga stacioni ekuipazhe dhe turistë të hapësirës të sponsorizuar nga Rusia. Një prej këtyre anijeve qendron gjithmonë e ankoruar në stacionin e hapësirës, si një mjet shpëtimi për ndonjë rast të jashtëzakonshëm.

Kontributi rus mund të jetë i mjaftueshëm për ta furnizuar Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës me ushqime dhe personel, por zyrtari Nasës, Kostelnik, thotë se vetëm anijet amerikane për vajtje-ardhje në hapësirë mund ta shtyjnë përpara ndërtimin e Stacionit, duke lënë të kuptohet kështu se ndërtimi është pezulluar deri në një njoftim tjetër.

Nasa nuk mund të parashikojë se kur anijet për vajtje-ardhje në hapësirë mund të rifillojnë fluturimet dhe të vazhdojnë montimet e mëtejshme në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Kryezyrtari i Nasës për fluturimet në hapësirë, Bill Readdy thotë se vendimi i fundit për pezullimin e fluturimeve mund të zgjasë derisa të gjendet shkaku i fatkeqësisë së Kolumbias.

“Më lejoni t’ju sigurojë, thotë zoti Rijdi, se pezullimi i fluturimeve do të vazhdojë derisa ne t’i shkojmë çështjes deri në fund, të zbulojmë shkakun kryesor e ta korrigjojmë atë; dhe vetëm pastaj do t’u rikthehemi fluturimeve. Pra edhe në se na merr 3 muaj ose tre vjet, le të marrë.”

Columbia ishte planifikuar të bënte një fluturim për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës para shkurtit të vitit të ardhshëm, kur Nasa shpresonte të kompletonte pjesën qendrore të Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, para se t’i shtoheshin këtij të fundit kabinat e laboratorëve të vendeve të tjera. Zoti Readdy thotë se megjithë humbjen e anijes Columbia, tri anijet e tjera për vajtje-ardhje në hapësirë janë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e stacionit. (ax)

XS
SM
MD
LG