Lidhje

Raporti i Kombeve të Bashkuara për Irakun - 2003-02-04


Në bazë të marrëveshjes që i dha fund Luftës së Gjirit Persik në vitin 1991, regjimi irakian i Sadam Huseinit duhet të asgjësonte të gjitha armët e shkatërrimit në masë. Për më se një dekadë, Iraku ka mashtruar dhe ka fshehur gjithë programet e tij. Në dhjetor të vitit 1988, Iraku ndërpreu gjithë bashkëpunimin me inspektorët.

Në nëntor të vitit të kaluar, Këshilli i Sigurimit, kërkoi që inspektorët të ktheheshin në Irak. Ata u kthyen, por njoftimet nuk janë të mira. Siç tha kryeinspektori Hans Blix, “Iraku duket se nuk e ka pranuar, madje as sot, çarmatimin që i kërkohet të bëjë”.

Ndër të tjera, bota do të dijë: Ku është gazi nervor VX? Ku është antraksi? Ku janë laboratorët biologjikë ambulantë? Përse Iraku shkel rezolutën që i ndalon të zotërojë raketa me reze më të gjatë se 150 kilometra?

Iraku nuk pranon t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve. Ai është përgjigjur me pretendime boshe, me deklarata të paplota dhe qëndrime jo konstruktive. Inspektorët nuk kanë qënë në gjendje të intervistojnë shkencëtarët irakianë pa praninë e zyrtarëve vendas. Atyre nuk u është dhënë lista e personave që janë marrë me programet e armëve të shkatërrimit në masë. Inspektorët nuk kanë mundur të përdorin mjete ajrore survejimi.

Siç tha sekretari amerikan i shtetit Colin Powell “Në se Iraku ka vendosur të çarmatoset, përse atëhere bën kaq përpjekje për të mashtruar dhe për të mos i lejuar inspektorët të kryejnë punën e tyre? Rezoluta 14-41 e Këshillit të Sigurimit nuk kërkon bashkëpunim pasiv prej Irakut.”

“Lista e pyetjeve që kërkojnë përgjigje është e gjatë, ashtu siç janë të shumta dhe pengesat që Iraku u krijon inspektorëve”, tha sekretari Powell. “Kundërshtimi i Irakut për t’u çarmatosur ende kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Kundërshtimi i Irakut përbën një sfidë për besueshmërinë dhe për vetë rëndësinë e Këshillit të Sigurimit.”

Iraku nuk duhet lejuar të zotërojë armë të terrorit dhe të ketë aftësi për të prodhuar të tjera. Siç tha sekretari i shtetit Powell: “Edhe në këtë moment, Shtetet e Bashkuara ende shpresojnë për një zgjidhje paqësore. Por zgjidhja paqësore është e mundur vetëm në se Iraku çarmatoset vetë, me ndihmën e inspektorëve. Afatit të Irakut për të zgjedhur çarmatimin paqësor po i vjen fundi me shpejtësi”.

//rd//

XS
SM
MD
LG