Lidhje

Kalendari Historik 12 shkurt - 2003-02-05


Më 12 shkurt 1999, Senati i Shteteve të Bashkuara liroi presidentin Klinton nga akuzat për dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë. Më 19 dhjetor 1998 Dhoma e Përfaqësuesve, kishte ngritur padi kundër presidentit Klinton, nën këto dy akuza. Akuzat lidheshin me përpjekjet e presidentit Klinton për të fshehur marrëdhëniet e tij seksuale me ish-punonjësene Shtëpisë së Bardhë, Monika Luinski. Duke filluar nga 7 janari, Senati, në përputhje me detyrat e tij kushtetuese, zhvilloi një gjyq lidhur me akuzat e ngritura ndaj presidentit. Gjyqin e drejtonte kryetari i gjykatës së lartë të Shteteve të Bashkuara, William Renkuist. Pas disa seancave që zgjatën 21 ditë, 100 senatorët votuan lidhur me dy akuzat. Për secilën akuzë, në rast se 67 senatorë, domethënë shumica prej dy të tretash e Senatit, votonin për ta shpallur presidentin fajtor, kjo do të bënte që presidenti Klinton të shkarkohej nga detyra. Siç doli nga votimi, votat për ta shpallur presidentin fajtor nuk arritën as shifrën 51, që do të ishte një shumicë e thjeshtë. Lidhur me akuzën e parë, për dëshmi të rreme, 55 senatorë votuan kundër dhe 45 pro. Për akuzën e dytë, pengim i drejtësisë, votat ishin 50 me 50. Në përfundim të gjyqit, kryetari Renkuist e shpalli presidentin të pafajshëm dhe e liroi nga akuzat e ngritura ndaj tij prej Dhomës së Përfaqësuesve. Para presidentit Klinton, i vetmi president i Shteteve të Bashkuara i akuzuar për shpërdorim të detyrës, ka qenë presidenti Andrew Johnson, në vitin 1868. Edhe në atë rast, sikurse me Klintonin, Senati e nxori të pafajshëm presidentin.

Më 12 shkurt 1809 lindi në një kasolle, në shtetin Kentucky, presidenti i ardhshëm i 16-të i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkoln. Zoti Linkoln u rrit në fermat kufitare, ndërkohë që prindërit e tij emigruan drejt perëndimit, në përpjekjet e tyre për të dalë nga varfëria. Nëna e Abraham Linkolnit, Nancy e mësoi të lëxonte por vdiq, kur ai ishte 9 vjeç. Kur i ati u martua përsëri, njerka e djalit nguli këmbë që ai të ndiqte shkollën. Ajo i nguliti atij dëshirën për të mësuar. Më pas arsimi i Abraham Linkolnit vazhdoi natën, kur ai lexonte në dritën e qirinjve. Kur u rrit Linkolni hodhi shtat dhe u bë një i ri i fuqishëm dhe i këndshëm. Ai bëri punë të ndryshme krahu për t’i ardhur në ndihmë familjes. Dëshira e tij për të punuar shumë dhe ndershmëria e tij u bënë legjendare. Së pari, në vitin 1834, Linkolni u zgjodh në legjislaturën e shtetit të Ilinoit. Më vonë shërbeu në Kongres dhe më 1860 u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara. Para se të vritej në vitin 1865, presidenti Linkoln udhëhoqi Shtetet e Bashkuara në fitore në Luftën Civile Amerikane dhe liroi sklevërit zezakë amerikanë nga skllavëria.// lk //

XS
SM
MD
LG