Lidhje

Sekretari Powell paraqiti në OKB një raport me materiale tepër sekrete mbi Irakun - 2003-02-05


Duke përdorur audio-kaseta me përgjime bisedash dhe fotografi nga aeroplanët spiunë, Seketari i Shtetit Colin Powell paraqiti para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ato që ai i quajti, të dhëna “të pakundërshtueshme dhe të pamohueshme”, që Iraku nuk po çarmatoset.

Sekretari Powell i shoqëruar nga drejtori i CIA-s, George Tenet, e filloi raportin e tij me regjistrimin e zërit të një bisede midis zyrtarëve ushtarakë irakianë që po diskutonin se si t’i fshihnin armët nga insspektorët. Më pas ai paraqiti disa fotografi të marra nga lartësia, që siç shpjegoi ai, paraqisnin bunkerë armësh kimike që ishin pastruar para mbërritjes së inspektorëve.

Sekretari Powell tha në takimin e posaçëm të 15 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, se Iraku ka krijuar atë që ai e quajti, “politikë fshehjeje dhe mashtrimi të hartuar në nivelet më të larta të qeverisë së Irakut.” Iraku tha ai, po shfrytëzon shërbimet e tij të zbulimit, për të fshehur “aktivitetet e paligjshme” dhe zoti Powell theksoi se Iraku zotëron të paktën 100 tonë agjentë kimikë dhe është i vendosur të zotërojë armë bërthamore.

Sekretari Powell tha se zyrtarët irakianë kanë fshehur korrespondencën mbi industrializimin ushtarak, kanë dhënë urdhër për largimin e armëve të ndaluara nga disa objekte kyçe dhe kanë fshehur shkencëtarët e tyre. Ai tha se Kombet e Bashkuara rrezikojnë të bëhen një organizatë e pavlefshme në se nuk shqyrtojnë “pasojat serioze” për mosrespektimin nga Iraku të rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Rezoluta 14-41 që u miratua njëzëri nga Këshilli i Sigurimit i kërkon Irakut të çarmatoset ose ndryshe do të përballet me pasoja serioze.

Shtetet e Bashkuara thonë se në se Iraku nuk çarmatoset vullnetarisht, ky vend do të çarmatoset me forcë.

Në raportin e tij Sekretari Powell e akuzoi Irakun se mbështet dhe strehon terroristë palestinezë dhe anëtarë të lartë të rrjetit terrorist të Osama Bin Ladenit. //ad//

XS
SM
MD
LG