Lidhje

Sekretari Powell i bëri thirje Këshillit të Sigurimit të mos u shmanget sfidave dhe detyrave të tij - 2003-02-05


Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell mbajti të mërkurën përpara Këshillit të Sigurimit, një fjalim të shoqëruar me audiokaseta dhe fotografi satelitore për të përforcuar argumentet e administratës së Presidentit Bush se Iraku nuk ka ndërmend t’u bindet rezolutave të Kombeve të Bashkuara që i japin Bagdadit një shans të fundit për t’u çarmatosur. Zoti Powell solli gjithashtu prova për lidhjet midis Bagdadit dhe rrjetit terrorist të Al Kaidës.

Sekretari i Shtetit përdori një seri fotografish të marra me satelit si dhe audiokaseta me incizime bisedash telefonike për të ritheksuar argumentet amerikane mbi nevojën e çarmatimit të Irakut, qoftë edhe me anën e forcës. Ai tha në mënyrë të përsëritur se Iraku po i mashtron dhe po u fshihet inspektorëve të OKB-së duke i lëvizur laboratorët e kërkimit dhe prodhimit të armëve kimike e biologjike nëpër pjesë të ndryshme të vendit me njësi të motorizuara.

Sekretari i Shtetit u tregoi të pranishmëve fotografi ajrore të atyre që ai tha se ishin objekte armësh biologjike. Ai tregoi pastaj fotografi të tjera të mëvonëshme të këtyre objekteve, pasi ato ishin pastruar për t’u parë nga inspektorët. Zoti Powell demonstroi një audiokasetë me zërin e zyrtarëve ushtarakë irakianë, të cilët, tha ai, bisedonin për fshehjen e armëve.

Zoti Powell tha se inspektorët e Kombeve të Bashkuara janë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të një ushtrie të tërë agjentësh, të cilët janë pjesë e një fushate qeveritare për pengimin e inspektimeve. Zoti Powell tha se Kombet e Bashkuara rrezikojnë të humbasin besueshmërinë nëse e lejojnë Irakun të vazhdojë të sfidojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit.

“Çështja përpara nesh nuk është se sa kohë jemi gati t’u japim inspektorëve që ata të zhgënjehen nga taktikat penguese irakiane. Çështja është se edha sa kohë do të durojmë mosbindjen e Irakut përpara se ne si Këshill i Sigurimit dhe si Kombe të Bashkuara të themi mjaft,” tha Zoti Powell. Zoti Powell u deklaroi anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se Iraku ka dy nga 3 elementët që nevojiten për ndërtimin e një bombe atomike: shkencëtarët dhe projektin. Saddam Husseini, tha sekretari Powell, është i vendosur të sigurojë edhe elementin e tretë: uraniumin e pasuruar.

Për herë të parë, Zoti Powell bëri publike provat e Uashingtonit se Iraku është i lidhur me rrjetin terrorist të Al Qaidës.

Ai tha se Baghdadi strehon një rrjet terrorist vdekjeprurës të kryesuar nga Abu Musab Zarqawi, bashkëpunëtor i Osama bin Ladenit. Sipas zotit Powell, anëtarë të këtij grupi vazhdojnë të veprojnë lirisht në Bagdad që prej 8 muajsh.

Duke përfunduar fjalimin, zoti Powell paralajmëroi se Kombet e Bashkuara nuk duhet të supozojnë se Saddam Husseini nuk do t’i përdorë armët që ai po krijon.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë dhe nuk mund të lejojnë që populli amerikan të vihet në rrezik. Ta lesh Saddam Husseinin në zotërim të armëve të shkatërrimit në masë edhe për disa muaj ose vite të tjerë, kjo nuk është zgjidhje, aq më tepër në botën e pas 11 shtatorit,” tha Sekretari i Shtetit.

Zoti Powell u tërhoqi vemendjen anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të mos u shmangen sfidave që kanë përpara dhe as të mos neglizhojnë në përmbushjen e detyrave të tyre.

Ndërkohë, numri dy i komisionit të senatit amerikan për marrëdhëniet me jashtë, Senatori Joe Biden i shtetit Delaware, tha se Sekretari Powell i paraqiti Këshillit të Sigurimit argumente shumë të fuqishme dhe të pakundërshtueshme se Saddam Husseini vazhdon të shkelë mandatin e OKB-së për çarmatimin e Irakut.

Ai shprehu shpresën se Këshilli i Sigurimit do ta mbështesë një rezolutë të dytë që do të autorizonte veprime ushtarake për çarmatimin e Irakut.

“Luftë apo paqe, kjo është tani në dorë të Saddam Husseinit për të zgjedhur. Edhe Këshilli i Sigurimit e ka një zgjedhje: nëse do të jetë apo jo i besueshëm,” tha senatori Biden.

Ndërkohë, kryetari i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, republikani Henry Hyde i shtetit Illinois, tha se Sekretari Powell paraqiti argumentin e fortë që mund të bindë gjithsecilin se Saddam Hussein vazhdon të krijojë armë të shkatërrimit në masë. //ad//

XS
SM
MD
LG