Lidhje

Kalendari Historik  9 shkurt - 2003-02-05


Më 9 shkurt 1943, Komanda Aleate deklaroi që ishulli Guadalkanal, në pjesën jugore të Paqësorit, ishte plotësisht nën kontrollin e forcave aleate. Kjo ishte fitorja e parë e madhe e aleatëve kundër japonezëve në Luftën e Dytë Botërore, pas 6 muaj luftimesh, shpesh herë shumë të egra. Beteja për ishullin filloi në gusht të vitit 1942, kur njësi të marinsave amerikane zbarkuan për të mos i lejuar japonezët që të përfundonin ndërtimin e një baze ajrore në ishull. Garnizoni i vogël japonez u shpërnda me shpejtësi dhe ndërtimi i bazës ajrore u përfundua nga batalionet amerikane të ndërtimit brenda dy javësh. Megjithatë, në javët që pasuan, japonezët dërguan përforcime të shumta në ishull, derisa forcat e tyre ishin të mjaftueshme për të filluar sulmin e parë.

Më 9 shkurt të vitit 1950 senatori amerikan Joseph McCarthy, i shtetit Wisconsin i hapi vetes një vend famëkeq në historinë amerikane. Në një fjalim që mbajti në një klub të grave republikane, në Wheeling të Virxhinias Perëndimore, senatori tha se kishte një listë me emrat e 205 komunistëve, të cilët punonin në Departamentin e Shtetit. Në fjalimet e mëvonshme të McCarthyt ky numër do të ndryshonte, çka tregonte se akuzat e tij ishin të fryra ose të rreme. Si edhe disa republikanë të tjerë konservatorë të kohës së tij, ai po shfrytëzonte çështjen e komunizmit për t’i krijuar probleme presidentit të atëhershëm demokrat, Harry Truman. Megjithatë historia dhe disa kolegë të tij të asaj kohe, do ta shihnin senatorin McCarthy ndryshe nga konservatorët e tjerë. Kundërshtarët e tij thoshnin se atë nuk e shqetësonte e vërteta e akuzave të tij kundër zyrtarëve qeveritarë dhe fakti se ato akuza mund t’u shkatërronin jetën njerëzve. Disa thoshnin se ai ishte më pak i shqetësuar për komunizmin, sesa që t’i dilte emri nëpër rubrikat e lajmeve. Për disa vjet ajo që u njoh me emrin Makartizëm, dëmtoi ose u dha fund karrierave të mjaft njerëzve të pafajshëm, jo vetëm në qeveri, por edhe në arsim, në art dhe në fusha të tjera. Njolla e Makartizmit është fajësuar për një numër vetëvrasjesh. Senatori u bë njeri i fuqishëm dhe me influencë dhe mbeti i tillë deri nga mesi i viteve 1950. Një numër seancash me pyetje-përgjigje, të transmetuara nga televizioni i bindën shumë amerikanë që McCarthy nuk ishte gjë tjetër veçse një kapadai i keq dhe i papërgjegjshëm.// lk //

XS
SM
MD
LG