Lidhje

Presidenti Bush kërkon një rezolutë të dytë të OKB-së për Irakun - 2003-02-06


Presidenti Bush thotë se loja ka marrë fund dhe se ka ardhur koha që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të veprojë kundër udhëheqësit të Irakut, Sadam Husein, sepse ai po shkel rezolutat e Kombeve të Bashkuara, të cilat kërkojnë që ai të çarmatoset.

"Sadam Huseinit iu dha një rast i fundit, theksoi presidenti Bush. Ai nuk po e përfill këtë rast. Diktatori irakian po vepron ashtu siç do vetë. Tani vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit duhet ta thonë fjalën e tyre".

Zoti Bush thotë se ka ardhur çasti i së vërtetës për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila duhet të përtërijë qëllimin e saj, si burim stabiliteti dhe të tregojë se është e përgatitur të përballojë sfidat e së ardhmens me autoritetin e saj.

"Tani Këshilli i Sigurimit do të tregojë në se fjalët e tij kanë ndonjë kuptim. Pasi ka bërë kërkesat e tij, Këshilli i Sigurimit nuk duhet të zmbrapset kur këto kërkesa nuk përfillen apo kur vihen në lojë nga një diktator".

Presidenti bëri thirrje për një rezolutë të dytë që do të ripohonte kërkesat e OKB-së, por shtoi se kjo rezolutë do të kishte pak kuptim pa vullnetin për të vepruar.

"Shtetet e Bashkuara do të mirëpresin dhe mbështesin një rezolutë të re, e cila do ta bënte të qartë se Këshilli i Sigurimit qendron pas kërkesave të tij të mëparshme. Megjithatë rezolutat kanë pak kuptim kur mungon vendosmëria. Dhe Shtetet e Bashkuara së bashku me një koalicion në rritje shtetesh të tjera janë të vendosura të ndërmarrin çdo lloj veprimi të nevojshëm për t’u mbrojtur dhe për të çarmatosur regjimin irakian”.

Kur mbi 100 mijë trupa ndodhen në rajon dhe trupa të tjera janë drejtuar për atje, zoti Bush thotë se është i gatshëm të përdorë forcën kundër Irakut në se OKB-ja nuk vepron.

"Sadam Huseini e ka motivin, si edhe mjetet, kuturisjen dhe urrejtjen për të kërcënuar popullin amerikan. Sadam Huseinin do ta ndalim”.

Zoti Bush thotë se amerikanët e dinë se çfarë mundën të bëjnë terroristët me 4 aeroplanë në sulmet e shtatorit të vitit 2001 në Nju Jork e Uashington. Ai thotë se vendi nuk mund të presë të shohë se çfarë mund të bëjnë terroristët me armë kimike, biologjike apo bërthamore. Më parë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë patën thënë se një rezolutë e dytë do të ishte e dëshirueshme por jo detyruese, para një operacioni ushtarak të Shteteve të Bashkuara.

Dje presidenti u përpoq përsëri të zgjerojë mbështetjen për një rezolutë të dytë duke thënë se rreziku që përbën Sadam Huseini shtrihet mbi gjithë botën, pasi Iraku është duke ndihmuar terroristë që kanë planifikuar sulme në Francë, Spanjë, Itali, Gjermani, Rusi dhe Republikën e Gjeorgjisë. Zoti Bush thotë se nuk ka dyshim që tani udhëheqësi irakian do të fillojë, sipas fjalëve të tij, një tjetër raund lëshimesh boshe dhe mohimesh të rreme, në një lojë mashtrimesh të minutës së fundit.

Presidenti foli pas një takimi me Sekretarin e Shtetit, Colin Powell, i cili të mërkurën paraqiti argumentet e administratës kundër Irakut para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Iraku thotë se nuk ka armë të shkatërrimit në masë dhe nuk pranoi të shqyrtojë raportin e Sekretarit Powell, duke thënë se ai përmbante akuza të pasakta dhe burime të paidentifikuara.//ic//

XS
SM
MD
LG