Lidhje

Presidenti Bush kundër terrorit - 2003-02-07


Shtetet e Bashkuara tha presidenti George W. Bush, në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, janë duke udhëhequr botën në ballafaqimin me dhe shpartallimin e së keqes së terrorizmit ndërkombëtar të krijuar nga njeriu.

Kanë kaluar thuajse 17 muaj qëkurse terroristë të al-Qaidës rrëmbyen 4 aeroplanë për pasagjerë dhe i përplasën dy prej tyre kundër Qendrës Botërore të Tregtisë në qytetin e Nju Jorkut, njërin mbi Pentagon, në rrethinat e Uashingtonit dhe të katërtin në një fushë në Pensilvani. Mbi 3 mijë njerëz nga më se 90 vende të botës humbën jetën në sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.

Që nga ajo ditë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e botës së qytetëruar u kanë shpallur luftë al-Qaidës dhe rrjeteve të tjera terroriste. Më se 3 mijë terroristë dhe dhjetëra udhëheqës të lartë të tyre janë kapur ose vrarë. Koalicioni u ka prerë rrugën komploteve që kishin në shënjestër ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Jemen, një bazë ushtarake saudite dhe anije në Ngushticat e Hormuzit dhe të Gjibraltarit.

Koalicioni shpartalloi rrjetin terrorist të al-Qaidës në Afganistan dhe ndihmoi në përmbysjen e përkrahësve të tij Talebanë. Janë shkatërruar celula terroriste në qytetet Hamburg, Milano, Madrid, Londër dhe Paris. Janë ngrirë më se 100 milionë dollarë nga pasuritë e terroristëve. Shtetet e Bashkuara kanë stërvitur forca ushtarake në Filipine, Jemen, Gjeorgji e vende të tjera, duke rritur aftësitë e tyre kundër terrorizmit dhe rreziqeve të tjera të sigurimit.

Por më shumë duhet bërë. Para së gjithash qeveritë duhet t’u presin rrugën përpjekjeve të terroristëve për të shtënë në dorë armë të shkatërrimit në masë. “Sot”, tha presidenti Bush, “rreziku më i madh për Amerikën dhe botën janë regjimet e papërgjegjshme që kërkojnë dhe zotërojnë armë bërthamore, kimike dhe biologjike. Këto regjime mund t’i përdorin armë të tilla për shantazh, terror dhe vrasje në masë. Po ashtu ato mund t’ua japin ose shesin këto armë terroristëve, të cilët do t’i përdornin ato pa ngurrimin më të vogël.” Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me OKB-në i kanë dhënë Sadam Huseinit një rast të fundit për të asgjësuar armët irakiane të shkatërrimit në masë. Siç tha presidenti Bush, “ Në se Sadam Huseini nuk çarmatoset plotësisht, për sigurinë e popullit tonë dhe për hir të paqes në botë, ne do të udhëheqim një koalicion për çarmatosjen e tij.”

“Në gërmadhat e dy kullave, në murin perëndimor të Pentagonit dhe në një fushë të Pensilvanisë, tha presidenti Bush, ky vend u zotua dhe ne po e përsërisim atë zotim, se sado që të zgjasë kjo luftë dhe cilatdo që të jenë vështirësitë, ne nuk do të lejojmë që dhuna të triumfojë në marrëdhëniet njerëzore. Rrjedhën e historisë do ta përcaktojnë njerëzit e lirë.”

XS
SM
MD
LG