Lidhje

Bush:  Këshilli i Sigurimit duhet t’u dalë për zot rezolutave të tij, të cilat kërkojnë që Iraku të çarmatoset - 2003-02-08


Presidenti Bush tha se kur i ka bërë të qarta kërkesat e tij, Këshilli i Sigurimit duhet të mos tërhiqet në se këto kërkesa, sipas fjalëve të tij, nuk përfillen dhe vihen në lojë nga udhëheqësi irakian Sadam Husein. Në fjalimin e tij javor në radio, presidenti tha se do të mbështeste një rezolutë të re të OKB-së, e cila do të ripohonte kërkesat që Iraku të bashkëpunojë me inspektorët e armëve.

“Megjithatë rezolutat kanë pak kuptim, kur mungon vendosmëria, tha presidenti Bush. Dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me një koalicion në rritje vendesh të tjera, do të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për t’u mbrojtur dhe për të çarmatosur regjimin irakian".

Britania mbështet një rezolutë të dytë dhe thotë se do të marrë pjesë në një operacion ushtarak kundër Irakut. Anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia, Kina dhe Franca, thonë se inspektorëve të armëve të OKB-së u duhet më shumë kohë për të kërkuar për armë të dyshimta të shkatërrimit në masë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, po paralajmëron të mos ndërmerren veprime të njëanshme për të çarmatosur Irakun. Në një fjalim që mbajti dje në një universitet në shtetin amerikan Virginia, zoti Annan tha se kjo nuk është çështje që i takon një shteti të vetëm, por gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të dalë me një qendrim të vetëm dhe të çojë në vend përgjegjësitë e tij në se Iraku nuk respekton rezolutat e OKB-së. Ai i kujtoi Bagdatit mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për përdorimin e forcës gjatë Luftës së Gjirit Persik dhe tha se e njëjta gjë mund të jetë e domosdoshme në se Iraku nuk çarmatoset.

“Pra në se Iraku nuk përfiton nga ky rast i fundit që i jepet dhe vazhdon mospërfilljen e tij, vuri në dukje zoti Annan, Këshillit do t’i duhet të marrë një vendim tjetër të vështirë, bazuar në raportin e inspektorëve, një vendim më kompleks e ndoshta më fatal, sesa ai i vitit 1990”.

Iraku thotë se nuk ka armë të paligjshme dhe se është duke bashkëpunuar me inspektorët. Zyrtarë irakianë thonë se presidenti Bush është i vendosur të sulmojë vendin e tyre, pavarësisht nga ato që do të raportojnë inspektorët, sepse, sipas tyre, ai dëshiron të kontrollojë fushat naftëmbajtëse të Irakut.

Presidenti Bush thotë se Iraku duhet çarmatosur sepse nuk ka dhënë shpjegime për armët kimike dhe biologjike të zbuluara nga inspektorët e OKB-së para vitit 1998.

“Sadam Huseinit iu kërkua të deklarojë plotësisht programet e tij të armëve, tha presidenti Bush. Ai nuk e bëri një gjë të tillë. Sadam Huseinit iu kërkua të bashkëpunojë plotësisht në çarmatimin e regjimit të tij. Ai nuk e bëri një gjë të tillë. Sadam Huseinit iu dha një rast i fundit. Ai po e flak tej këtë rast”.

Presidenti Bush po përpiqet të shtojë mbështetjen brenda vendit për një operacion të mundshëm ushtarak kundër Irakut, ndërkohë që disa anketa tregojnë se një numër më i madh amerikanësh i shqetëson ekonomia e dobët e vendit.

Në përgjigjen e demokratëve ndaj fjalimit javor radiofonik të presidentit, guvernatori i shtetit Iowa, Tom Vilsack, tha se zoti Bush po përqendrohet si shumë mbi Irakun, ndërkohë që është duke lënë pas dore probleme të tilla të brendshme, si ekonomia dhe arsimi.

“Ne, tha zoti Vilsack, nuk duhet të lëmë pas dore faktin që duhet të mbrojmë sigurinë tonë brenda vendit. Për të qenë të fortë në botë, ne duhet të jemi të fortë brenda vendit. Sot kjo siguri është në rrezik”.

Javën e ardhshme presidenti Bush do të merret me probleme të jashtme e të brendshme. Ai do të zhvillojë takime me udhëheqësit e Australisë e të Ekuadorit, si edhe me trupat amerikane dhe do të mbajë një fjalim mbi planin e tij për rigjallërimin e ekonomisë së vendit, duke shkurtuar taksat me 670 miliardë dollarë.//ic//

XS
SM
MD
LG