Lidhje

Arrestohen terroristët në mbarë botën - 2003-02-10


Siç ka thënë presidenti Bush, pavarësisht se sa kohë mund të marrë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do t’i nxjerrin terroristët para organeve të drejtësisë.

Policia indoneziane ka arrestuar zotin Mas Selamat Kastari, që dyshohet të jetë udhëheqës i celulës së Singaporit, të grupit terrorist më famëkeq të Azisë Juglindore, Jemaah Islamiyah. Qëllimi i grupit Jemaah Islamiyah është të krijojë një shtet islamik, të përbërë nga Malajzia, Singapori, Indonezia dhe pjesa jugore e Filipineve. Ky grup mendohet të jetë autori i shpërthimeve të vitit të kaluar në ishullin turistik të Balit, që shkaktuan vdekjen e rreth 200 vetave nga disa vende të ndryshme, shumica nga Australia. Kastari akuzohet të jetë ideatori i një komploti të dështuar për të ulur një aeroplan të rrëmbyer në aeroportin kryesor të Singaporit. Sipas njoftimeve ai ka ndihmuar al-Qaidën të planifikojë sulme kundër personelit ushtarak amerikan dhe familjeve të tyre në Singapor.

Në Itali autoritetet kanë arrestuar 28 pakistanezë, pasi lëndë shpërthyese dhe disa harta ishin gjetur në një apartament në Napoli. Policia gjeti dinamit, fitila, një fotografi gazete të shefit ushtarak të Britanisë dhe faqe të një harte të një rajoni ku ndodhet një bazë ushtarake e Natos.

Në Spanjë janë arrestuar 16 persona të cilët dyshohet të jenë terroristë që kanë lidhje me rrjetin terrorist të al-Qaidës. Policia në Barcelonë dhe në disa qytete të tjera gjeti eksplozivë, kimikate dhe materiale të tjera për të prodhuar bomba, si edhe pasaporta të falsifikuara në shtëpitë e personave të arrestuar. Të arrestuarit akuzohen se po përgatiteshin për të kryer sulme kimike. Autoritetet britanike mendojnë se disa nga personat e arrestuar, kohët e fundit kishin qenë në Londër. Në janar policia e Londrës bastisi një xhami dhe arrestoi 7 veta në lidhje me zbulimin e helmit Ricin në një banesë të Londrës, ku u arrestuan 5 persona të tjerë.

Në Izrael një gjykatë ushtarake dënoi një palestinez me 27 vjet heqje lirie, nën akuzat se ishte stërvitur me rrjetin terrorist al-Qaida dhe kishte bërë plane për të kryer sulme terroriste kundër izraelitëve. Personi i quajtur Nabil Okal, i përket grupit terrorist islamik Hamas. Më 1998 ai kishte shkuar në Afganistan, ku ishte takuar me zëvendësin e bin Ladenit dhe kishte marrë mësime në një kamp stërvitor. Pas kthimit në Izrael, ai krijoi një celulë terroriste, për të kryer sulme kundër izraelitëve në Rripin e Gazës dhe në Izrael.

Lufta kundër terrorizmit nuk do të fitohet duke qendruar në pozita mbrojtëse. Shtetet e Bashkuara po punojnë me më shumë se 90 vende për shpartallimin e rrjeteve të tilla terroriste si al-Qaida. Siç ka thënë presidenti Bush, mënyra më e mirë për të luftuar është t’i ndjekësh terroristët atje ku ata bëjnë plane dhe fshihen. Dhe kjo punë vazhdon në gjithë botën.

//rd//

XS
SM
MD
LG