Lidhje

Presidenti Bush shpreh zhgënjim ndaj vendeve evropiane - 2003-02-11


Administrata e presidentit Bush pësoi një goditje tjetër dje në përpjekjet e saj për të krijuar unitet ndërkombëtar lidhur me Irakun, kur vendet aleate të Natos, Gjermania, Franca dhe Belgjika, bllokuan kërkesën e Turqisë për pajisje ushtarake, si përgatitje për një konflikt të mundshëm me Bagdatin. Diplomati belg e përshkroi një veprim të tillë si një përpjekje për të ngadalësuar hapat e nxituar drejt luftës. Turqia, e cila po shqyrton mundësinë që t’i lejojë Shtetet e Bashkuara të dislokojnë dhjetëra mijëra trupa në territorin e saj, trembet nga një kundërgoditje irakiane në rast lufte.

Pasi e quajti një hap të tillë të pafalshëm, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, shprehu mendimin se tre aleatët e Natos përbëjnë një pakicë dhe rrezikojnë të izolohen ndërmjet 16 vendeve anëtare të Aleancës.

“Jemi 16 me tre. Mendoj se ata po gabojnë, tha Sekretari i Mbrojtjes, Rumsfeld.”

Dhe ai paralajmëroi që në se Natoja nuk do të veprojë për të ndihmuar një vend anëtar, Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë një gjë të tillë dhe do ta furnizojnë Turqinë me ato që i duhen.

“Ne ia kemi filluar tashmë kësaj pune. Ne po planifikojmë të veprojmë jashtë kuadrit të Natos, po të jetë nevoja.”

Pasi diskutoi lidhur me alternativat e Irakut, me kryeministrin e Australisë, John Howard, presidenti Bush tha se shpreson që Natoja do ta rishqyrtojë vendimin e saj.

“Jam i zhgënjyer, tha presidenti Bush, që Franca kërkon të mos e lejojë Naton të ndihmojë të përgatitet një vend si Turqia. Unë nuk e kuptoj këtë vendim. Ai ndikon negativisht mbi aleancën.”

Ndërkohë kryeinspektorët e armëve të OKB-së u larguan nga Bagdati pas dy ditë bisedimesh me zyrtarë irakianë, duke thënë se kishin bërë përparim përsa i përket bashkëpunimit të Irakut, por pa shënuar ndonjë arritje të madhe. Kur mbërriti në Vienë, kryetari i Agjencisë Bërthamore të OKB-së, Mohammed ElBaradei paralajmëroi se koha kur Iraku duhet të tregojë bashkëpunimin e tij të plotë me inspektimet po ikën me shpejtësi.

“Në përgjithësi ne jemi optimistë të rezervuar. Mendoj se po shohim fillimin e një ndryshimi në qendrimin e tyre, një mjedis të ndryshuar, por na duhet të shohim më shumë përparim dhe përparim të shpejtë në ditët dhe javët e ardhshme, sepse, siç e kemi fare të qartë koha nuk pret."

Ai së bashku me inspektorin e armëve, Hans Blix do të mbajnë një raport tjetër para Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten. Administrata e presidentit Bush po lë të kuptohet që në se raporti, siç pritet, do të jetë kritik përsa i përket bashkëpunimit të Irakut, Shtëpia e Bardhë do të kërkojë menjëherë një rezolutë tjetër të OKB-së që do të autorizonte ndërhyrjen ushtarake.

Por në vend të një vendimi të shpejtë për luftë, Franca, Gjermania dhe Rusia, duan që të përforcohen inspektimet për armë duke shtuar numrin e inspektorëve në Irak. Kjo ide u paraqit kur presidenti rus, Vladimir Putin ndodhej për vizitë në Paris, duke treguar solidaritet me pikëpamjen franceze që inspektimet duhet të vazhdojnë.

Duke folur me reporterë me ndihmën e një përkthyesi zoti Putin tha:

“Do të doja të theksoj se si Franca edhe Rusia ngulin këmbë për një zgjidhje politike të krizës. Ne mendojmë se zgjidhjet ushtarake mund të çojnë në rezultate të paparashikuara.”

Por fjalët e presidentit Bush dje linin të kuptoje se ai po i afrohet luftës. Shtëpia e Bardhë nuk e përfilli kërkesën më të fundit të Irakut për të lejuar që aeroplanë U-2 të kryejnë fluturime vëzhgimi mbi këtë vend, duke thënë se kjo është shumë pak dhe shumë vonë. Ndërkohë presidenti Bush ngriti një akuzë të re kundër udhëheqësit irakian.

“Sadam Huseini, tha zoti Bush, po i vendos forcat e tij ushtarake ndërmjet popullsisë civile, me qëllim që të mbrojë ushtrinë e tij dhe të fajësojë forcat e koalicionit për viktimat në radhët e civilëve.”

Një tregues tjetër që Shtëpia e Bardhë është gati për të vepruar kundër Irakut, ishin fjalët e presidentit Bush drejtuar anëtarëve republikanë të Kongresit: “kjo lojë kukafshehti në Irak ka marrë fund."

//ze//

XS
SM
MD
LG