Lidhje

Programi i Irakut për armë bërthamore - 2003-02-11


“Sadam Husseini mbetet i vendosur të sigurojë armë bërthamore“. Ishin këto fjalët e sekretarit të shtetit Colin Powell për të paralajmëruar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Powell i rikujtoi Këshillit të Sigurimit se në vitin 1991, inspektorët e Kombeve të Bashkuara kontrolluan ndërtesat kryesore bërthamore të Irakut për të parën herë. Ata nuk gjetën asgjë për të arritur në përfundimin se Iraku kishte një program armësh bërthamore. Por në maj të vitit 1991, një dezertor irakian nxori të vërtetën: “Saddam Husseini kishte një program masiv të fshehtë të armëve bërthamore që përfshinte teknika të ndryshme për të pasuruar uranimin, përfshi ndarjen elektromagnetike të izotopeve, centrifugimin e gazit dhe difuzionin e gazit.

Programi i fshehtë irakian i armëve filloi para pushtimit të Kuvajtit në vitin 1990 dhe mposhtjes së tij nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Dhe siç theksoi zoti Powell, “në se Saddami nuk do të ishte frenuar, Iraku mund të kishte prodhuar një bombë bërthamore qysh në vitin 1993”.

Në vitin 1995 një dezertor tjetër irakian tha se pas pushtimit të Kuvajtit diktatori irakian i shtoi përpjekjet për të siguruar armë bërthamore. Këto përpjekje vazhdojnë edhe sot. “Saddam Husseini është i vendosur të shjerë në dorë një bombë bërthamore”, tha sekretari Powell. Në fakt, tha zoti Powell, “Saddam Husseini zotëron tashmë dy nga tre komponentët e nevojshëm për të ndërtuar një bombë bërthamore. Ai ka një grup shkencëtarësh të aftë si dhe projektin e bombës”.

Ajo që nuk ka mundur të bëjë Iraku deri tani është pasurimi i uraniumit të nevojshëm për të prodhuar një mekanizëm shpërthyes bërthamor. Është kjo arsyeja që Saddam Husseini ka bërë fshehtas përpjekje të përsëritura për të siguruar tuba alumini nga 11 vende të ndryshme. Tubat nevojiten për centrifugat që përdoren për pasurimin e uraniumit.

Iraku po përpiqet fshehtas të sigurojë magnete dhe makineri që përdoren për të balancuar rotorët e centrifugave të gazit të cilët mund të përdoren për prodhimin e armëve bërthamore. Media irakiane e kontrolluar nga qeveria ngre në qiell punën e shkencëtarëve bërthamorë të cilët quhen muxhahedinë bërthamorë. Zoti Powell vuri në dukje se Saddam Husseini “i inkurajon ata regullisht dhe lavdëron përparimin e tyre. Përparim për çfarë qëllimi?” pyeti zoti Powell.

Sekretari i shtetit i rikujtoi Këshillit të Sigurimit se “kohë më parë, ky këshill i kërkoi Irakut të ndalte veprimtaritë bërthamore të çdo lloji”. Saddam Husseini kundërshton ta bëjë një gjë të tillë. Detyra e Këshillit të Sigurimit është e qartë.

//rd//

XS
SM
MD
LG