Lidhje

CIA paralajmëron për sulme të mundshme terroriste me armë helmuese, ose kimike - 2003-02-11


Drejtori i CIA-s, George Tenet, paralajmëroi se eksizton rreziku i kryerjes se sulmeve terroriste ne Shtetet e Bashkuara, ose kunder objekteve amerikane në gadishullin Arabik. Sulmet mund të kryhen qe gjatë kësaj jave, tha zoti Tenet, duke raportuar sot në Komisionin e Zbulimit të Senatit amerikan. Drejtori i CIA-s George Tenet dhe drejtori i FBI-së Robert Mueller dëshmuan sot para Kongresit.

Zoti Tenet tha se Al-Kaida vazhdon të jetë e angazhuar për goditjen e objektivave në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera: “Informacioni që kemi bën fjalë për komplote, që kanë në qendër objektiva në Shtetet e Bashkuara dhe në Gadishullin Arab”, tha zoti Tenet. Shefi i CIA-s raportoi sot para Komisionit të Zbulimit të Senatit amerikan. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë bërë që të dështojnë një numër komplotesh të Al-Kaidës, por ai shtoi se Al-Kaida mund të përpiqet të godasë objektiva më të pambrojtura.

Së bashku me drejtorin e CIA-s sot dëshmoi para Komisionit të Senatit edhe drejtori i FBI-së Robert Mueller. “Rrjeti terrorist Al-Kaida, -tha zoti Mueller- do të vazhdojë të përbëjë në të ardhmen e afërt, rrezikun më të pranishëm dhe serioz për këtë vend”. Zoti Mueller tha se mes ekstremistëve të njohur islamikë në Shtetet e Bashkuara, disa qindra dyshohet të kenë lidhje me Al-Kaidën. Kërcënimi më i madh sipas tij, vjen nga bazat e Al-Kaidës që nuk janë identifikuar ende."

Po sot, Sekretari i Shtetit Colin Powell, duke folur në një komision tjetër të Senatit, atë për buxhetin, tha se ka parë tekstin e një mesazhi të një kasete të re, që besohet të jetë i Osama bin Ladenit. Së shpejti kaseta do të transmetohet në rrjetin televiziv Al-Jazeera. Aty Bin Laden flet për solidaritet me “luftën” e popullit irakian dhe thotë se është “në partneritet” me Irakun. Zoti Powell tha se kaseta vë në pah nevojën për të marrë tani masa për armët irakiane të shkatërrimit në masë. “Është thjesht çështje kohe para se interesat e regjimit irakian të përputhen me ato të organizatave të tilla si Al-Kaida,- tha zoti Powell,- duke shtuar shanset që armë të tilla të bien në duart e tyre. Dhe është një lidhje e tillë, veçanërisht në botën e pas 11 shtatorit, që na bind edhe më shumë se tani është koha për të marrë masat ndaj këtij regjimi një herë e përgjithmonë”. Zoti Powell tha se pas sulmeve të vitit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, lidhjet mes terroristëve dhe shteteve që prodhojnë armë të shkatërrimit në masë nuk mund të shmangen, apo të shpërfillen më.// lk //

XS
SM
MD
LG