Lidhje

Shtetet e Bashkuara, optimiste për një rezolutë të re të OKB-së për Irakun - 2003-02-11


Administrata e presidentit Bush thotë se ende shpreson që Këshilli i Sigurimit do të miratojë një rezolutë të re që autorizon veprime ushtarake kundër Irakut, pavarësisht nga kundërshtimet ndaj luftës nga disa aleatë të rëndësishëm evropianë.

Gjatë një konference shtypi në Washington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, nuk i kushtoi rëndësi të madhe kundërshtimit nga Franca, Belgjika e Gjermania, duke thënë se ende shpresohet për miratimin e një rezolute të re dhe se Kombet e Bashkuara do të luajnë rolin që u takon.

Zoti Fleischer e cilësoi kundërshtimin e Frances, Gjermanise dhe Belgjikes ndaj kërkesës amerikane për t’i dhënë Turqisë mbështetje ushtarake në rast të një lufte me Irakun, si një humbje të përkohshme. Ai tha se Turqia është vend mik dhe aleat dhe se ajo meriton t’i jepet mbështetje ushtarake.

Dje, presidenti Bush e cilësoi si një manovër tjetër irakiane lejen që Bagdadi u dha inspektorëve për të përdorur avionë amerikanë përgjimi. Presidenti Bush tha se leja është edhe një përpjekje tjetër e udhëheqësit irakian për të fituar kohë, duke shtuar se përpjekje të tilla Iraku i ka përdorur me sukses për 12 vjet.

Kryeinspektorët e OKB-së për armët u takuan me zyrtarë irakianë në Bagdad në fund të javës së kaluar dhe pritet që të premten t’i raportojnë Këshillit të Sigurimit.

Ndërkohë, një i dërguar i Papa Gjon Palit të Dytë mbërriti në Bagdad me një mesazh paqeje nga udhëheqësi shpirtëror i Kishës Katolike për presidentin Hussein. Shenjtëria e tij është shprehur kundër luftës në Irak. Zëvendës-kryeministri irakian, Tarik Aziz, ka në plan të takohet të premten me Papën në Vatikan.// lk //

XS
SM
MD
LG